Bledari është një artist, që ndjenjës patriotike i ka dhënë forcën edhe pushtetin e penelit të tij, për t’i shndërruar faqet e 8 kolonave mbajtëse të Urës së Dajlanit, në një hapësirë tërheqëse dedikuar figurave historike të kombit tonë. Tashme këtë gjë e ka bërë edhe në Vlorë dhe pritet që shumë shpejt të niset drejt Dibrës.
Misioni im, thotë ai, është të trashëgoj kulturën dhe historinë nga njëri brez në tjetrin, por edhe nga njëri shtet në tjetrin.
I dashuruar pas atdheut Bledari zotohet se kurrë nuk do ta braktisë atë.
Bledar cila është kauza që ju përfaqësoni me veten ?
Kauza ime është ringjallja e historisë kombëtare shqiptare. Kemi nevojë të gjithë për një vetëdije më të plotë të asaj që kemi dhe zotërojmë si shtet.
Ju jeni rritur që fëmijë me dashuri për atdheun?
Fëmijëria ime ka qenë tepër sfiduese dhe jo vetëm e imja, por edhe e shumë fëmijëve të tjerë të asaj kohe. Por, tani që e mendoj, kjo gjë më ka bërë më të fortë. Nuk thonë kot që vështirësitë i rrisin njerëzit.
Cila ka qenë puna juaj e parë që keni bërë ?
Puna e parë ka qenë në emigrim, punë të vështira për të mbijetuar.
Cili ka qenë momenti më i veshtirë në jetën tuaj ?
Një moment shumë i vështirë në jetën time ka qenë kur fëmija ynë lindi, por unë isha larg tij.
Nuk arrita të përjetoj dot emocionet e lindjes së fëmijës pasi nuk vija dot.
Ky ka qenë një moment reflektues, i cili ka mbetur gjatë në memorien time.
Nga jeni ju me prejardhje?
Unë kam lindur në Dibrën e bukur, Dibrën e cila trashëgon vërtet shumë edukate dhe kulturë.
Dibra është një djep apo vatër traditash dhe vetëm fakti që unë jam rritur atje mendoj se më ka shtyre ta dua dhe respektoj më tepër vendlindjen time dhe Shqiperinë e bukur .
Ju pikturoni në Mure të ndryshme heronjtë tanë kombëtarë, e bërë këtë në Durrës, Vlorë etj. Si lindi ky pasion?
Pasioni nuk lindi për pikturën si pikturë, por për historinë. Doja që ajo të ishte e dukshme dhe e prekshme. Ndaj dhe vendosa që disa prej figurave më të njohura, heronj kombëtarë ti pikturoja në formën e muraleve për të qenë në sy të shqiptarëve por edhe turistëve.
A ke një mesazh për të përcjellë?
Bledar Çakalli: Revoltën time per këtë vend s’do ta shuaj kurrë. Një thirrje kam për të rinjtë;” Ikja nga vendi nuk është rrugëdalje”. Të rinjtë duhet të luftojnë për të ardhmen e tyre, e cila ndërtohet shumë bukur në vendlindje. Duhet të punojmë për Shqipërinë tonë.
Cili është projekti juaj i ardhshëm?
Projekti im më i ri është drejt Dibrës. Do të shkoj atje për të vendosur në jetë disa figura të rëndësishme të cilat si dhuratë i shkojnë Dibrës.
Marrë nga businessmag.al