Segmenti i shërbimeve të informacionit dhe teknologjisë (IT) është aktualisht kategoria me rritjen më të shpejtë të tregtisë ndërkombëtare.
Një studim global nga Banka Botërore referoi se gjatë periudhës 2010–22, shërbimet e IT-së u rritën me 12% në vit, duke tejkaluar të gjitha kategoritë e tjera të shërbimeve, dhe Shqipëria ishte në mesin e vendeve që pa zgjerim më të shpejtë vitet e fundit.
Në rang global, në vitin 2022, shërbimet e IT u bënë kategoria e tretë më e madhe e eksporteve të shërbimeve, menjëherë pas transportit dhe udhëtimeve. Vendet në mbarë botën po përqafojnë sektorin e shërbimeve të IT-së si një shtytës i ri i rritjes, diversifikimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës me paga të larta.
Ndër vendet me të ardhura të mesme të larta, 6 nga 10 performuesit më të mirë janë nga Europa dhe Azia Qendrore, si dhe rajoni, duke përfshirë Shqipërinë, Armeninë, Gjeorgjinë, Kazakistanin, Moldavinë dhe Malin i Zi, raportoi Banka Botërore. Në këto vende, eksportet e shërbimeve të IT shënuan rritje vjetore nga 30% në 130% gjatë 2019–2022.
Banka Botërore referon se në Shqipëri në vitin 2022 numëroheshin 539 kompani të teknologjisë dhe informacionit. Eksportet e këtij grupi arritën në 88 milionë USD, teksa investimet në këtë sektor kapën vlerën e 150 milionë dollarëve.
Teknologjia dhe përdorimi saj morën hov gjatë dhe pas pandemisë Covid-19 në vendet me të ardhura të mesme ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Ndër vendet me të ardhura të ulëta, Madagaskari dhe Uganda ishin dy shtetet e vetme që raportuan rritje të eksporteve të në teknologji dhe informacion.
Eksportimi i shërbimeve IT po zgjeron shtrirjen dhe ndikimin global në krijimin e bizneseve të reja teknologjike. Për vendet e pasura me burime, por pa dalje në det dhe me të ardhura më të ulëta, eksportet e shërbimeve të IT-së ofrojnë perspektiva dhe mundësi për t’u diversifikuar dhe integruar në ekonominë globale. Për shumicën e shteteve eksportet e shërbimeve IT po krijojnë vende pune të mirë-paguara.
Banka Botërore vlerëson se digjitalizimi është mundësia transformuese e kohës sonë. Sektori IT po bëhet promotor i inovacionit, rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës.
Vlera e shtuar në sektorin e shërbimeve të IT-së u rrit me 8 për qind në vit gjatë viteve 2000–2022, gati dy herë më shpejt se ekonomia globale. Punësimi në shërbimet e IT-së u rrit me 7 për qind në vit, gjashtë herë më e lartë se totali i punësimit global.
Marrë nga Monitor