Edicioni i 18-të i Panairit të verës “Vini Arbëreshë”, që u mbajt në Vaccarizzo Albanese, në Kalabri, në zonën arbëreshe, bëri bashkë prodhuesit e verës tradicionale arbëreshe dhe shqiptare, me qëllimin promovimin e cilësisë së verës, rritjes së shkëmbimeve tregtare, ripërtëritjen e identitetit historik, kulturës dhe traditës shqiptare.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në kuadër të vizitës zyrtare që zhvilloi në Itali, në rajonin e Kalabrisë, në zonën arbëreshe, vizitoi Panairin e verës “Vini Arbëreshë”, ku merrnin pjesë autoritetet e këtij rajoni; Antonio Pomillo, Kryetar i Bashkisë Vaccarizzo Albanese, Gianluca Gallo, këshilltar për Bujqësinë, Resurset Agroushqimore dhe Pylltarinë, Rajoni i Kalabrisë, Giacomo Giovinazzo, Drejtor i Përgjithshëm i departamentit për bujqësinë dhe resurseve agroushqimore, Rajoni Kalabrisë.
“Jemi këtu së bashku me prodhuesit tanë të verërave, me Shoqatën e Restoranteve dhe Bujtinave, ku marrim pjesë në një mbrëmje feste, pikërisht në Vaccarizzo Albanese, që është një ndër bashkitë e komuniteteve arbëreshe këtu në Itali, Kalabri. Kemi ardhur për të marrë pjesë në një festë të konkursit të verës “Vini Arbëreshë”, edicioni i 18-të, të prodhuar nga prodhuesit e verës arbëresh”, u shpreh Krifca.
Degustimi i verërave i shoqëruar me gatime të produkteve vendase tërhoqi kureshtarët, turistët, profesionistët e sektorit të verërave, të cilët përfituan nga festivali për të marrë pjesë, por mbi të gjitha për të shkëmbyer përvoja dhe njohuri mbi temën e verës. Në qendrën historike ku u mbajt ky aktivitet kishte shumë kompani dhe prodhues që u ofruan vizitorëve më të mirën e prodhimit të tyre shoqëruar me verë artizane tradicionale cilësore, ku padyshim tërhoqi vëmendje të veçantë vera shqiptare. Eventi synon promovimin dhe rritjen e verërave nga prodhuesit e vegjël në komunat arbëreshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit me prodhuesit shqiptarë të këtij sektori.