Si dhe ku të investoni? Si të kurseni? Çfarë të bëni me paratë? Përgjigjet i ofrojnë të ashtuquajturit finfluencers në Instagram, TikTok e YouTube.
Çfarë presin ndjekësit nga finfluencers?
Nga njëra anë, finnfluencers “mbulojnë” nevojat e ndjekësve të tyre, shumë prej të cilëve duan të fitojnë para, e disa edhe bëhen të pasur. Nga ana tjetër, ekziston frika nga varfëria në pleqëri, pra frika se mos nuk do të ketë para të mjaftueshme për pleqërinë, për një jetë të denjë, veçanërisht tek të rinjtë e sensibilizuar deri në atë masë sa që u bë e qartë se duhej të bënin diçka për këtë.
Interesi i popullatës së re për të investuar në aksione dhe forma të tjera të sigurimit pensional është rritur ndjeshëm pas bumit të bursës në vitin 2020. Për sa i përket shifrave konkrete, duket kështu: në vitin 2017, sipas Institutit Gjerman të Aksioneve, ka pasur rreth 905.000 aksionarë të rinj në vend (14 deri 29 vjeç). Katër vjet më vonë, në vitin 2021, kishte tashmë 1.4 milionë njerëz nën moshën 30 vjeç në Gjermani që investuan para në bursë.
Kush janë finfluencers?
Finfluencers janë kryesisht të rinj që punojnë për të rinjtë – ata flasin të njëjtën gjuhë, përdorin të njëjtat media dhe rrjetet sociale. Shpesh këta janë të rinj që angazhohen në këto aktivitete gjatë rrugës, do të thotë njerëz që kanë hapur blogun ose kanalin e tyre, krahas studimeve ose punëve të tjera që bëjnë.
Ndërkohë, disa prej tyre janë pozicionuar aq mirë në treg, saqë punësojnë bashkëpunëtorë dhe mund të mburren me një model të qëndrueshëm biznesi.
Çfarë lloj njohurish kanë finfluencers?
Mes tyre ka të diplomuar për ekonomi apo ish-punonjës të kompanive që janë aktive në sektorin financiar, këta janë njerëz që përcjellin njohuritë e tyre dhe që janë bërë sipërmarrës të pavarur. Në mesin e finnfluencers ka edhe shumë femra, të cilat synojnë ndjekëset femra. Shpesh bëhet fjalë për njerëz që vijnë nga një degë krejt tjetër, por që e kanë studiuar intensivisht këtë temë.
Çfarë bëjnë saktësisht influencuesit e financave?
Niveli i informacionit që ata ofrojnë ndryshon në cilësi dhe dallimet janë të mëdha. Finfluencers në TikTok ose Instagram, në seminare ose leksione, ofrojnë njohuri të shumta themelore për botën e financave. Këto janë tema të tilla si “si të hapni një portofol”, “çfarë është një ETF”, “çfarë planesh kursimi ekzistojnë” ose “pse është i rëndësishëm kujdesi për të moshuarit”. Kjo njohuri mund t’i transmetohet audiencës në një mënyrë të mirë përmes videove, podkasteve ose teksteve.
Çfarë grackash ka?
Jo të gjithë finfluencers janë ofrues seriozë të këtij shërbimi. Ka edhe disa lojtarë të tregut që kërkojnë tarifa të larta mujore nga klientët e tyre, dhe në këmbim ofrojnë këshilla dhe strategji të supozuara se si të bëheni milioner brenda vetëm disa javësh. Një pjesë ka të bëjë me modele biznesi që bajnë erë manipulim ose për mashtrime klasike – ndër të tjera, ka modele në të cilat këta njerëz marrin para për këshilla dhe për ndërmjetësim.
Por ka dhe të tillë që në mënyrë eksplicite i këshillojnë klientët e tyre të investojnë në aksione ose ndonjë lloj investimi tjetër. Sidoqoftë, strategjitë e investimit të parave janë, si rregull, individuale dhe madje komplekse, kështu që është e qartë se këshillat për këtë nuk mund të përshtaten në një mbështjellje të shkurtër ose një tekst të shkurtër. Kjo kërkon njohuri të hollësishme, njohuri që jo të gjithë finnfluencers e kanë.
Si të njohim finfluencers të besueshëm?
Para së gjithash, duhet të kontrollohet se si i fitojnë paratë finfluencers? Është pozitive në çdo rast nëse ofruesit e këtij lloj shërbimi komunikojnë në mënyrë transparente shumën e kompensimit që kërkojnë për një seminar apo konsultim.
Një dritë paralajmëruese duhet të ndizet kur bëhet fjalë për “partneritete reklamuese” – veçanërisht me partnerët financiarë. Kur finfluencuers rekomandojnë produktet e partnerëve të tyre për klientët e tyre, ata vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe besueshmërinë e tyre. Ju duhet të jeni të kujdesshëm edhe kur bëhet fjalë për të ashtuquajturat “lidhje affiliate”, pra kur finfluencers “udhëheqin” klientët drejt produkteve financiare të partnerëve të tyre. Duhet të kihet parasysh se finfluencers fitojnë para sa herë që investitorët blejnë diçka përmes kësaj lidhjeje. Sa më e madhe arritshmëria, aq më të mëdha janë fitimet e mundshme.
Pra gjithmonë duhet t’i bëni vetes pyetjen: kush ofron këshilla financiare dhe pse? Çfarë di dhe mund të dijë një finfluencer për këtë çështje? Pse e rekomandon ai këtë produkt të veçantë dhe jo diçka tjetër? Kjo është arsyeja pse është gjithmonë mirë të kontrolloni në mënyrë të pavarur informacionin e dhënë nga influencuesit dhe të ekzaminoni nëse këto të dhëna janë të sakta, domethënë sa të vërteta janë ato?
Mund të ndiqen edhe disa finfluencers, për të marrë një pamje më të plotë. Sidomos në kohët e këqija të bursës, pra në fazat në të cilat ka një rënie në bursë, në parim duhet të jemi skeptik ndaj “këshillave të nxehta”, domethënë të mos lejojmë që të reagojmë emocionalisht ndaj situatës së krijuar.
Burimi: Deutsche welle