Flukset shumë të larta të eurove në treg po bëjnë që familjet dhe bizneset shqiptare të rrisin përdorimin e monedhës së përbashkët europiane, pavarësisht se Shqipëria zbaton prej rreth 6 vitesh politikën e deeurozimit. Banka e Shqipërisë ka anketuar 1203 familje dhe 1,352 biznese për të kuptuar ç’peshë zë monedha e përbashkët europiane në aktivitetin e tyre, duke konkluduar se përdorimi i euros është rritur gjatë këtij viti nga individët ashtu edhe nga bizneset, veçanërisht kompanitë e mëdha.
Sipas Bankës së Shqipërisë, euroizimi i të ardhurave të familjeve vijon të mbetet i ulët, por me prirje rritëse. Kështu rreth 21% familjeve (220 familje nga 1055 familje të përgjigjura) deklarojnë se kanë të ardhura në valutë (kryesisht në euro) në raporte të ndryshme ndaj totalit të të ardhurave mujore. Kjo peshë ka mbetur e pandryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por është rritur me 3.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Ndërkaq, euroizimi i veprimtarisë së ndërmarrjeve paraqitet përgjithësisht i ulët për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve, por vijon të ruajë një peshë më të lartë tek ato të mëdha. Kështu, rreth 13% e ndërmarrjeve të vogla dhe 18% e atyre të mesme deklarojnë se e kryejnë veprimtarinë plotësisht, ose kryesisht në valutë, duke shënuar rënie respektivisht me 1.1 pikë përqindje dhe 4.6 pikë përqindje krahasuar me periudhën e kaluar. Ky tregues është rreth 35% për ndërmarrjet e mëdha, në rritje me 1.5 pikë përqindje krahasuar me periudhën paraardhëse.
Huamarrja në valutë, kryesisht në euro, rezulton më e përdorur nga ndërmarrjet e mëdha dhe ato të mesme (përkatësisht 39% dhe 38%) dhe më pak nga ndërmarrjet e vogla (rreth 37.7%). Sidoqoftë, krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, pesha e ndërmarrjeve me hua në monedhë të huaj është rritur me 6 pikë përqindje për ndërmarrjet e vogla, por ka rënë për ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha (përkatësisht me 2.7 pikë përqindje dhe 1.6 pikë përqindje).
Marrë nga Scan tv