Benefitet shëndetësore dhe disa këshilla për një agjërim të shëndetshëm nga Aldo Shpuza, mjek specialist i shëndetit publik
Duke qënë se shumica e popullatës shqiptare i përket besimit islam dhe agjërimi gjatë muajit të Ramazanit është një nga pesë shtyllat themelore të këtij besimi, nga pikëpamja bio-mjekësore, por edhe epidemiologjike është e rëndësishme që të njihen efektet shëndetësore të kësaj praktike, si dhe suportimi me disa këshilla të vlefshme për një agjërim të shëndetshëm. Duhet përmendur që popullata që praktikon agjërimin, është e ekspozuar ndaj një ndryshimi të mënyrës dhe stilit të jetesës për një kohë rreth 1 mujore, gjatë së cilës praktikuesit duhet të agjërojnë nga lindja deri në perëndimin e diellit, duke ju ndaluar përdorimi i ushqimit, ujit, pijeve të ndryshme, duhanit dhe marrdhënieve apo aktivitetit seksual. Rishikime të ndryshme të literaturës mjekësore, tregojnë që agjërimi është një proces qe sjell ndryshime fiziologjike pozitive tek praktikuesit.
Disa nga ndryshimet fiziologjike reflektohen me rritjen e rruazave te bardha dhe të kuqe te gjakut, rritjen e yndyrnave “të mira” (HDL) dhe uljen e kolesterolit “të keq” (LDL) dhe triglicerideve, rënien ne peshë, uljen e BMI dhe raportit bel-hije , uljen e glukozës në gjak, tensionit dhe nivelit të ankthit. Për më tepër, në shumë raste vihet re që inflamacioni reduktohet.
Agjërimi është një praktikë e sigurt per njerëzit e shëndetshëm, por nuk rekomandohet pa u konsultuar me mjekun, nisja e agjërimit tek individët diabetikë (sidomos tipi I), të sëmurët koronarë, renalë apo me sëmundje te syve. Individët që vuajnë nga së paku një sëmundje, duhet të konsultohen me mjekun përpara nisjes së kësaj praktike.
Disa këshilla të vlefshme për një agjërim të shëndetshëm për popullatën praktikuese, do të ishin:
- Mos e kaloni vaktin e mëngjesit pa ngrënë.
- Pasurojeni vaktin tuaj të parë me drithëra me përmbajtje proteinike+karbohidrate & yndyrna të shëndetshme, si p.sh bollgur, tërshërë përzjerë me çokollatë/luleshtrydhe, pancake, fruta dhe perime etj.
- Hidratohuni dhe konsumoni mjaftueshëm ujë jashtë kohës së agjërimit. (Ka disa evidenca që konsumimi i ujit/lëngjeve e ul ndjesinë e urisë).
- Gjatë natës mbani afër një shishe ujë dhe konsumoni sa herë të mundeni apo keni etje.
- Mundohuni të konsumoni fruta dhe perime që kanë përmbajtje të lartë uji, p.sh kastravecët, shalqi, domate, kugull të njomë, luleshtrydhe etj.
- Jini të vëmendshëm ndaj racioneve të pjatës.
- Ushqimet tradicionale muslimane janë të shpeshta gjatë iftarëve të Ramazanit. Megjithatë është e rëndësishme që iftaret të kenë racione të balancuara gjatë darkës p.sh: Gjysëm pjate sallatë/perime, çerek pjate karbohidrate/sheqerna, çerek pjate proteina (p.sh lloje të ndryshme mishi)
- Monitoroni gjendjen tuaj shëndetësore, p.sh diabetikët të kontrollojnë glukozën në gjak gjatë ditëve të agjërimit.
- Ndërpriteni agjërimin në se gjendja juaj shëndetësore përkeqësohet nga sëmundja.
- Të sëmurët që marrin mjekime ti përshtatin oraret e ilaçeve duke u këshilluar me mjekun përkatës.