Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko priti sot në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e Rumanisë në vendin tonë, Sh.T.Z. Mircea Perpelea, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.
Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, Në fokus të kësaj bisede ishte trajtimi i situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe efektet e saj jo vetëm në ekonomitë e të dy vendeve por edhe atë globale. Guvernatori Gent Sejko e njohu Ambasadorin Perpelea me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe kontributin e Bankës së Shqipërisë për të mbështetur aktivitetin ekonomik në vend, i cili ka ardhur në përmirësim gjatë muajve të verës, pas rënies së fortë të shënuar në tremujorin e dytë. Ky rikuperim pasqyroi lehtësimin e masave të distancimit social dhe mbështetjen e siguruar nga stimuli i gjithanshëm fiskal, monetar e makroprudencial.
Më konkretisht, në përgjigje të situatës së krijuar, Banka e Shqipërisë mori masa të menjëhershme si ulja e normës bazë të interesit dhe shtimi i injektimeve të likuiditetit; lehtësimi rregullator i përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimi i pagesave të dividentit në sektorin bankar; si dhe, heqja e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave. Përsa i përket sektorit bankar, Guvernatori theksoi se ky sektor ka vijuar veprimtarinë e tij në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht sfidave që paraqiti situata e pandemisë në vend. Ky sektor ka akomoduar nevojat e kredimarrësve, duke ofruar shtyrje të përkohshme të kësteve të kredisë për klientët dhe ristrukturime tërësore të saj, dhe duke marrë mbi vete një pjesë të barrës financiare të krizës
Ambasadori Perpelea pasi falënderoi Guvernatorin Sejko për mikpritjen e treguar gjatë gjithë qëndrimit të tij në Shqipëri, theksoi mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave të Shqipërisë për aderimin në Bashkimin Evropian si dhe siguroi asistencën e nevojshme në kuadër të procesit të integrimit evropian të saj. Gjithashtu, Ambasadori i Rumanisë shprehu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet bankave qendrore të dy vendeve dhe ofroi ekspertizën e Bankës Kombëtare të Rumanisë në fusha të ndryshme të bankingut qendror, e cila ka qenë vazhdimisht një ndihmesë për Bankën e Shqipërisë.