Ministria e Kulturës shpall konkursin e hapur të projektimit për propozimet e projektimit të arkitekturës, përmes të cilit po kërkon zgjidhjen më të mirë të projektimit për ngritjen e një muzeu bashkëkohor në qytetin e Tiranës.
Konkursi ndërkombëtar për projektimin e “Muzeut Besa” synon të tërheqë ekipe ndërkombëtare projektuesish, arkitektësh, restauruesish, peizazhistësh, kuratorësh etj., duke mbështetur krijimin e një muzeu historik bashkëkohor, unik në llojin e tij, lidhur me trashëgiminë, subjektin, misionin, konceptin.
Qëllimi është të përftohen koncepte bashkëkohore dhe vizionare për ndërhyrje me karakter arkitektonik dhe restaurues për rehabilitimin dhe përshtatjen e objektit ekzistues me statusin e Monumentit të Kulturës, si dhe ndërhyrje rivitalizuese, të cilat synojnë t’i shtojnë kryeqytetit një hapësirë të re kulturore, i harmonizuar dhe në marrëdhënie të forta me mjedisin dhe zonën historike përreth.
Detajet e plota rreth konceptit të konkursit dhe kritereve të kualifikimit mund t’i gjeni në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës.