Tkurrja e vlerës së depozitave të shqiptarëve në euro për shkak të nënçmimit të saj në raport me lekun ka qenë një prej efeketeve anësore më problematike të kursit të këmbimit. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, efekti statistikor i ndryshimit të kursit të këmbimit në kundërvlerën në lekë të depozitave në valutë llogaritet në -60 miliardë lekë, apo thuasje 600 milionë euro për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, dhe me -90 miliardë, apo thuajse 900 milionë euro, lekë për 12 muajt e fundit deri në qershor 2023.
Ecuria e depozitave gjatë këtij viti është ndikuar dukshëm nga efekti pakësues i mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut. Depozitat në lekë u rritën me 0.6%, ndërsa ato në valutë u tkurrën me rreth 2%. Në krahasim me një vit më parë, depozitat sipas monedhës tregonin një rritje me rreth 3%. Megjithatë, ecuria e depozitave në valutë, të shprehura në monedhën origjinale, tregoi një rritje të ndjeshme, me rreth 5% gjatë periudhës dhe gati 15% në krahasim me një vit më parë.
Rritja më e ngadaltë e depozitave në lekë ka reflektuar zgjerimin e llogarive rrjedhëse të bizneseve dhe individëve, ndërsa ecuritë e depozitave pa afat dhe të depozitave me afat kanë kompensuar njëra-tjetrën. Rritja e depozitave në valutë, të dominuara nga depozitat në euro, pasqyron rritjen e depozitave me afat të individëve dhe llogarive rrjedhëse të të dy sektorëve. Normat e interesit të depozitave të reja kanë vijuar të rriten por ato mbeten më të ulëta sesa normat mestare të interesit për stokun e përgjithshëm në lek dhe valutë.
Flukset e depozitave të reja në valutë, janë rritur në mënyrë të konsiderueshme edhe gjatë korrikut e gushtit, ndërkohë që e njëjtë ka vijuar edhe tendenca e pakësimit të vlerës së tyre, duke parë se me përjashtim të dy momenteve në të cilat euro ka fituar terren ndaj lekut, ajo vijon të jetë subjekt i tendencës së fortë nënçmuese.
Marrë nga Scan TV