Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Programit Vendor të Punës së Denjë 2023-2026. Ky program u nënshkrua mes qeverisë shqiptare, organizatave të punëdhënësve, punëtorëve dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), e përfaqësuar nga Zyra Ndërkombëtare e Punës me qëllim bashkëpunimin për të promovuar dhe avancuar punën e denjë në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe z. Heinz Koller, Drejtor Rajonal i ILO për Europën dhe Azinë Qendrore, z. Markus Pilgrim, Drejtor i Zyrës së ILO për Punën e Denjë në Budapest, përfaqësues nga organizata të ndryshme të punëdhënësve dhe punëmarrësve, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore në fushën e tregut të punës në vend.
Në fjalën e saj, Ministrja Delina Ibrahimaj vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe OKB dhe mbështetjen që kanë dhënë për qeverinë shqiptare, sidomos sa i përket politikave të punësimit.
Ministrja theksoi faktin se përpjekjet e qeverisë shqiptare në hartimin e politikave të qëndrueshme, mbështetur edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe në bashkëpunim me bizneset shqiptare, kanë qenë efektive. Në tremujorin e tretë të vitit të kaluar norma e papunësisë ishte 10.6% dhe ky reduktim është ndikuar nga ecuria më e mirë e tregut të punës, qoftë në treguesit e punësimit, qoftë në treguesit e financimit të punësimit.
“Programi Vendor i Punës së Denjë 2023-2026” është i gjashti për Shqipërinë dhe për Ministren Ibrahimaj kjo tregon për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tij dhe të politikave për sigurimin e punës së denjë. Dokumenti është në linjë me dokumentet paraardhëse dhe Strategjinë Kombëtar të Punësimit, ku tre nga objektivat e saj lidhen ngushtësisht me punën e denjë: Përmirësimi i efikasitetit të inspektimit në punë, Promovimi i dialogut social në tregun e punës dhe Përmirësimi i politikave për punësimin e denjë.
Sa i përket përmirësimit të efikasitetit të inspektimit në punë, gjatë vitit të fundit ka pasur një rritje të numrit dhe cilësisë së inspektimeve, falë dhe mbështetjes dhe bashkëpunimit të ILO-s në gjithë këtë proces. Megjithatë, Ministrja tha se ka gjithmonë ende për të bërë, pasi cilësia e ambienteve të punës është siguruesi kryesor i punës së denjë.
Ibrahimaj theksoi rëndësinë e dialogut social, ku bashkëpunimi me biznesin ka një rol kryesor, ndërsa shtoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përfshirë biznesin në proceset e vendimmarrjes për politikat e punësimit.
Qeveria shqiptare është e angazhuar në garantimin e punës së denjë dhe një nismë në këtë drejtim është edhe Garancia Rinore, një projekt në bashkëpunim me Bashkimin Europian, i cili do të nisë të zbatohet gjatë këtij viti dhe do të kujdeset që çdo i ri në moshë deri në 25 vjeç të ketë një ofertë pune ose një ofertë formimi profesional.
“Është një projekt që do të angazhojë fonde të qeverisë shqiptare dhe të Bashkimit Europian dhe ka në fokus edhe komponentin e punës së denjë, pasi nuk është e rëndësishme vetëm që të kesh një vend pune, por është e rëndësishme që ajo punë të jetë e duhura që të garantojë një jetë të denjë, jo vetëm për ato të rinj të cilët i kanë të gjitha mundësitë për tu punësuar, por edhe për grupet vulnerabël. Në këtë aspekt dua të falënderoj për bashkëpunimin që kemi me organizata të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, që në mënyrë konsistente ndihmojnë qeverinë shqiptare në drejtim të grupeve vulnerabël dhe jo vetëm”, tha Ibrahimaj.
Nga ana e saj, Koordinatorja Rezidente e OKB në Shqipëri, Fiona Mccluney, shprehu gatishmërinë e OKB dhe ILO për të mbështetur Shqipërinë në përballimin e sfidave që lidhen si me ekonominë, ashtu edhe tregun e punës.
“Programi për Punën e Denjë është tërësisht i harmonizuar me kornizën e bashkëpunimit për zhvillimin e qëndrueshëm të OKB nëpërmjet prioriteteve strategjike të saj që qëndrojnë në themel të bashkëpunimit të OKB në Shqipëri.”
“Duke shprehur vlerësimin për bashkëpunimin me MFE, ndaj bindjen se zbatimi i përbashkët i Programit të ri për Punën e Denjë do të jetë i suksesshëm”, u shpreh Koordinatorja Rezidente e OKB në Shqipëri.