Ka një moment kur ne ndihemi më së shumti krenarë që jemi shqiptarë dhe ai moment është kur shqiptarë të talentuar shkëlqejnë anë e mbanë botës duke na prezantuar denjëisht. Redi Zyka është aktori shqiptar që ka korrur sukses në Kanada! Ai lindi në Levan të Fierit në vititn 1988, por duket që jeta e tij do të ngrihej në një vend tjetër kur ai së bashku me familjen e tij emigruan në Kanada në vitin 2001.
Në një intervistë për ProBizz.al tregon historinë e tij të suksesit, hapat e parë në karrierë dhe arritjet.
“Karriera ime si aktor filloi në vitin 2016 fillimisht si aktor figurativ dhe gradualisht me role kryesore. Kam realizuar 4 filma të plotë me metrazh të gjatë dhe shumë filma me metrazh të shkurtër, si dhe reklama, photoshooting etj.” – tregon Zyka për pjesëmarrjen e tij në projekte të ndryshme.
Për momentin Redi është në xhirime për një film të ri i quajtur Elons Revenge, ku ai luan rolin e Elonit, protagonisti i filmit.
“Kam studiuar dhe jam trajnuar në fushën e aktrimit për televizion rreth 6 vite tani. Filmi më i mirë, që më pëlqen më shumë deri tani është një film me metrazh të shkurtër që quhet The Albanian Eagle.” – thotë aktori.
Ajo çka e bën aktorin Zyka të ndihet krenar është fakti që ka ngjitur hapat e tij të karrierës në Kanada, ku sipas tij nuk dallohen shumë aktorë me origjinë shqiptare.
“Një shqiptar që ka ecur këtu shihet me sy të mirë, sepse unë jam i pari në këtë shtet dhe jo shumë aktorë shqiptarë janë aktivë në Kanada me sa di unë. Unë po i jap vëmendje Shqipërisë këtu në Kanada duke e përmendur dhe e përfaqësuar, por edhe po i jap vëmendje filmave kanadez ndërmjet mediave shqiptare.” – tregon Zyka për rolin e tij të ndërsjelltë përfaqësues midis të dy shteteve.
Redi mundohet të kthehet në Shqipëri çdo 2-3 vjet. Ai shprehet se do t’i pëlqente të bashkëpunonte në Shqipëri me Bes Kallakun dhe me Drilon Hoxhën, duke qenë se i përshtatet stilit dhe roleve që ai luan.
Aktrimi mund të duket aq bukur kur jeni duke ngrënë kokoshka para ekranit tuaj të madh, por për aktorët e vërtetë është një profesion mjaft i vështirë duke marrë parasysh vështirësitë gjatë xhirimeve, orët e zgjatura, përsëritjet e një skene shumë herë dhe këto kohët e fundit, për aktorët është shtuar edhe pandemia.
“Jam përballur me shumë situata të vështira edhe shumë sakrifica si për shembull të udhëtoja larg, të lija familjen mbrapa etj.” – shprehet Zyka. /ProBizz.al