Në kohët kur një pjesë e konsiderueshme e rinisë shqiptare po synon largimin nga Shqipëria, njerëz të cilët prej vitesh jetojnë jashtë vendit dhe tashmë kanë ndërtuar dhe arritur gjithçka çfarë kanë dashur, kuptojnë që në zemrën e tyre mungon një pjesë shumë e madhe dhe e vyer, atdheu dhe familja, të cilat nuk i zëvendëson dot asgjë.
Rolando Lekaj është modeli dhe sipërmarrësi shqiptar, i cili prej 10 vitesh tashmë jëton në Shanghai, Kinë. I martuar me miliarderen e famshme nga Kina, Tereza Lekaj, të dy drejtojnë së bashku sipërmarrjet në fushën e bukurisë, spitalet dhe klinikat ku kryhen operacione plastike, me më shumë se 3000 punëtorë.
Pavarësisht jetesës së mirë që ka krijuar në Kinë, famës, familjes plot dashuri dhe bizneseve të pafundme, mendja dhe zemra e tij qëndrojnë pas, në Shqipëri.
Në një intervistë për ProBizz, Lekaj tregon për jetën e tij, fillimet e biznesit dhe ka një mesazh për të gjithë të rinjtë shqiptar.
“Unë në Kinë kam ardhur në vitin 2008. Nga 2008 e deri tani gjatë gjithë kësaj kohe jam në Kinë, që i bie gati diku te rreth 12-13 vjet sepse një pjesë kam qenë në Shqipëri dhe që kam lëviz nëpër botë, Amerikë, Angli, Dubai me takimet e punës. Momentin e parë kur kam ardhur kam ardhur si model dhe kam qenë në një kompani shqiptaro-kineze. Gjatë asaj kohe, në vitin 2008 kam qëndruar tre muaj pastaj u ktheva në Shqipëri, pastaj erdha prap pas tre muajsh. Kështu vazhdoi pastaj çdo gjë në rrugën e modelingut. Më pas në vitin 2014, jam njohur me bashkëshorten time që ajo është në fushën e beauty plastic surgery. Ka një rrjet spitalesh të madh në të gjithë Kinën dhe pastaj nga aty kam vazhduar me menaxhimin e kompanisë bashkë me bashkëshorten, por nga një anë kisha dhe kompaninë time të modës që kisha rreth 300 model që punonin për mua në të gjithë Kinën.” – tregon Lekaj.
Përvec bizneseve që drejton me bashkëshorten e tij, Lekaj është gjithashtu pjesë e ATSH tregtare të Shqipërisë, aktiviteti ekonomik që e lidh atë me Shqipërinë.
“Aktualisht operoj në fushën e beauty plastic surgery sic e thash që punoj bashkë me bashkëshorten. Fusha tjetër që është eksport, import. Aty ndihmoj pak vëllain tim sepse aty është kompania e vëllait që e ka hapur vëllai, por që gjithmonë unë jam pjesë me të. Unë që në vitin 2019-2020 që jam në ATSH tregtare të Shqipërisë që është adviser ekonomik në Ambasadën shqiptare në Pekin, kështu që është për gjetjen e investitorëve të huaj më tepër nga Kina për në Shqipëri, investitorë strategjikë. Por që fatkeqësisht për arsye të virusin gjatë këtyre dy viteve nuk ka qenë e mundur që të kemi investitorë strategjikë nga Kina, por që shpresojmë që me kalimin e virusit kemi lëvizje dhe shpresojmë pse jo të bëjmë dicka të bukur sepse Shqipëria është realisht e bukur dhe unë e dua shumë, e adhuroj shumë. Dhe pse në moshë të re jam larguar nga Shqipëria, jam larguar prej hallit dhe jo prej qejfit por që cdo ditë zemra, mendja është tek Shqipëria.” – shprehet ai.
Një nga dëshirat e tij më të mëdha është kthimi në Shqipëri së bashku me familjen e tij. Këtë mesazh ka dhe për të rinjtë shqiptarë, të cilëve duke u shprehur i penduar për largimin e tij, u sugjeron nga të qëndrojnë në vendin e tyre.
“Po pres me padurim që një ditë sa më shpejt të kthehem dhe të jetoj në Shqipëri bashkë me familjen time sepse realisht e dua Shqipërinë dhe kam dëshirë që të kem dhe një biznes timin familjar, por që ashtu të jetë dhe një investim strategjik në Shqipëri që të kem mundësi me punësu sa më shumë shqiptar te ky biznes. Por me kalimin e kohës shpresoj që të bëhet i mundur.
Përsa i përket një mesazhi për të rinjtë shqiptar, që më fort më del nga zemra ky mesazh sesa me e thënë thjesht me fjalë, rrini punoni sa më shumë në Shqipëri sepse Shqipëria është një vend që i ka të gjitha bukuritë e Zotit, që i ka fal Zoti dhe është një vend që shumë vende të botës e kanë lakmi. Pavarësisht se shumë thonë që në Shqipëri nuk bëhet jetë, nuk ka të ardhura, me thënë të drejtën në një farë pike jam paksa i penduar që jam larguar nga Shqipëria. Normal jam largu për një jetë më të mirë, Por unë mendoj që edhe në Shqipëri bëhet jeta e mirë, bëhet jeta e bukur aq më tepër që i ke të gjithë njerëzit e tu rreth e rrotull teje. Sepse fundja fundit kemi një jetë dhe duhet me e shiju sa më shumë me familjën, me babin, me nënën, me vëllain, me motrën, se ditët edhe vitet kalonkan shumë shpejt dhe nuk ka rëndësi në pikpamjen time sa i pasur je nuk blen dot kohën dhe shumë gjëra që koha t’i jep dhe t’i fal sic janë për shembull dashuria për familjen, gezimet që mund të marrësh nga afrimiteëti i familjes. Dhe dicka tjetër, do ju thoja të rinjve mos i shikoni ata njerëz që bëjnë lekun në rrugë jo të pastër si ideale të jetës suaj, sepse ata që bëjnë atë lekë jo me pastërti dhe e bëjnë lekun shumë shpejt nuk është se e gëzojnë kështu që uroj që të mos keni modele të tilla në jetë por të keni modele të njerëzve që jetojnë dhe punojnë me djersën e ballit dhe kështu do të keni një jetë tepër të qetë, normale, të gjatë dhe të lumtur.” – shprehet Lekaj me mall./ProBizz.al