Në Kampusin e Kolegjit të Europës në Tiranë, u organizua dje ceremonia e mikpritjes së 32 studentëve nga 21 vende të ndryshme të Europës, të cilët do të studiojnë në kryeqytetin shqiptar gjatë vitit akademik 2024-25.
Në ceremoninë e përurimit të Kampusit të Kolegjit, me seli në godinën “Liria” pranë Qytetit Studenti, mori pjesë ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Në fjalën e rastit, kryebashkiaku Veliaj dha lajmin se, Bashkia e Tiranës, përveç kontributit në krijimin e kushteve të mira për studentët, ka kontribuar me tri bursa për tre të rinj ekselentë shqiptarë.
“Shekullit XXI gjithnjë e më shumë po i referohemi si shekulli i qyteteve. Pra, njerëzit thonë ‘Kolegji i Tiranës’, jo më ‘Kolegji në Republikën e Shqipërisë’. Ne i lidhim këto ngjarje me qytetet, më shumë se sa me shtetet. Prandaj, edhe vendosëm që, përveç ndihmës në krijimin e infrastrukturës së kolegjit, të kontribuojmë edhe me tri bursa”, u shpreh ai.
Veliaj ftoi studentët të bëhen pjesë e aktiviteteve kulturore, që do të zhvillohen në Tiranë vitin e ardhshëm, kur kryeqyteti shqiptar mban titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.
“Dy vite më parë ne ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë; vitin e kaluar ishim Qyteti Europian i Sportit. Këtë vit kemi presidencën e B40, rrjeti më i madh i kryebashkiakëve të Ballkanit. Por, vitin e ardhshëm, do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, ndaj mezi pres që disa prej jush t’i bashkohen ekipit”, tha kryebashkiaku.