Qeveria ka miratuar fondin prej 4 miliardë lekësh garanci shtetërore për sektorin e industrisë përpunuese.
Kjo mbështetje financiare për bizneset e këtij sektori synon përmirësimin e proceseve teknologjike dhe rritjen e nivelit të produktivitetit.
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS ME BANKAT TREGTARE PËR GARANTIMIN E HUAMARRJES SË SUBJEKTEVE TË INDUSTRISË PËRPUNUESE, KATEGORIA “NACE 2”, PËR INVESTIME NË TEKNOLOGJI DHE INOVACION, PËR BLERJE TË LËNDËS SË PARË, SI DHE PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE E TË KRITEREVE TË MARRËVESHJES SË GARANCISË DHE MARRËVESHJES SË MIRËKUPTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e linjës së garancisë shtetërore, në vlerën 4 000 000 000 (katër miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat do të jenë pjesë e skemës së garancisë, që do të mundësojë huadhënien ndaj subjekteve të industrisë përpunuese, kategoria “nace 2”, për investime në teknologji dhe inovacion, si dhe për blerje të lëndës së parë.
2. Linja e garancisë shtetërore do të lëshohet në favor të bankave tregtare, si më poshtë vijon:
– Banka “Raiffeisen”, sh.a.;
– Banka e Bashkuar e Shqipërisë, sh.a.;
– Banka Kombëtare Tregtare, sh.a.;
– Banka “Tirana”, sh.a.;
– Banka “Intesa Sanpaolo Albania”, sh.a.;
– Banka “Procredit”, sh.a.;
– Banka Amerikane e Investimeve, sh.a.;
– Banka e Parë e Investimeve, Albania, sh.a.;
– Banka “Credins”, sh.a.;
– Banka “OTP Albania”, sh.a.;
– Banka “Union”, sh.a.
Ministri i Financave mundëson përcaktimin e shumave të garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, nëpërmjet marrëveshjeve të veçanta të garancisë, që do të lidhen me secilën prej bankave.
3. Marrëveshjet e garancisë janë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ministri i Financave mundëson, nëse rezulton e nevojshme, rialokimin e shumës së garancisë nga huadhënësi që nuk e ka ezauruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi, që e ka ezauruar atë plotësisht, duke ndryshuar për këtë qëllim edhe marrëveshjet e lidhura/të nënshkruara të garancisë.
5. Autorizohet ministri i Financave për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë me secilën nga bankat tregtare, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.
6. Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila nënshkruhet nga huamarrësi, përmban kushtet dhe kriteret sipas marrëveshjes tip të integruar si aneks në marrëveshjen tip, të përcaktuar në pikën 3 të këtij vendimi.
7. Ministria e Financave mund të kërkojë këshillim/asistencë nga Banka e Shqipërisë gjatë implementimit të marrëveshjeve të garancisë. Ky bashkëpunim mund të rregullohet edhe nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi.
8. Ngarkohet Agjencia për Menaxhimin e Garancive dhe Kredive të Pakthyera për ndjekjen dhe administrimin e kësaj skeme garancie, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”.
9. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.