Kur mendojmë për përfitimet e stërvitjes, zakonisht mendojmë për gjumë më të mirë, më shumë energji, mbajtjen e një peshe të shëndetshme, muskuj më të fortë ose një zemër më të shëndetshme.
Këto janë të gjitha të vërteta. Por ne rrallë i konsiderojmë efektet e menjëhershme që mund të ketë aktiviteti fizik në organin më të rëndësishëm në trupin tonë: trurin.
Nëpërmjet viteve të mia të kërkimit si neuroshkencëtare, kam zbuluar se ushtrimi është një nga gjërat më transformuese që mund të bëni për të përmirësuar aftësitë njohëse, të tilla si të mësuarit, të menduarit, kujtesa, fokusi dhe arsyetimi – të gjitha këto mund t’ju ndihmojnë të bëheni më të zgjuar dhe jetoni më gjatë.
Si stërvitja rrit shëndetin e trurit tuaj
- Zvogëlon ndjenjat e ankthit
Studimet kanë treguar se sa herë që lëvizni trupin tuaj, një numër neurotransmetuesish të dobishëm, përfshirë dopaminën, norepinefrinën, serotoninën dhe acetilkolinën, lëshohen në trurin tuaj.
Këto substanca mund të ulin ndjenjat e ankthit dhe depresionit. (Mendojini ato si një “banjë me flluska” neurokimike për trurin tuaj.)
Duhen vetëm 10 deri në 30 minuta aktivitet fizik ditor për të gjallëruar menjëherë disponimin tuaj. Nuk keni anëtarësim në palestër? Bëni një shëtitje të shkurtër ose përdorni shkallët në vend të ashensorit.
Kur të mos keni kohë, thjesht bëni disa xhiro rreth tryezës suaj të ngrënies.
- Përmirëson fokusin dhe përqendrimin tuaj
Në një nga eksperimentet e mia laboratorike, zbulova se një stërvitje e vetme mund të ndihmojë në përmirësimin e aftësisë tuaj për të zhvendosur dhe përqendruar vëmendjen.
Ky është një përfitim i menjëhershëm që mund të zgjasë për të paktën dy orë pas 30 minutash stërvitje. Unë rekomandoj aktivitete që rrisin rrahjet e zemrës suaj, të tilla si ecja e shpejtë, vrapimi, noti, çiklizmi, tenisi ose të kërceni me litar.
Studimet kanë treguar gjithashtu se një seancë stërvitje mund të përmirësojë kohën tuaj të reagimit – që do të thotë, për shembull, se do të jeni shumë më të shpejtë në kapjen e filxhanit të kafesë përpara se të bjerë nga tavolina.
- Nxit rritjen e qelizave të reja të trurit
Një nga përfitimet më domethënëse të stërvitjes që shkencëtarët kanë gjetur, është se ai promovon neurogjenezën, ose lindjen e qelizave të reja të trurit. Kjo është thelbësore për përmirësimin e funksionit njohës.
Studiuesit kanë treguar se vrapimi rrit zhvillimin e qelizave të reja të trurit në hipokampus, një pjesë e vogël e trurit në formën e kalit të detit, e cila i kushtohet formimit dhe ruajtjes së kujtesës.
Ushtrimi gjithashtu mund të përmirësojë shëndetin dhe funksionin e sinapseve midis neuroneve në këtë rajon, duke lejuar qelizat e trurit të komunikojnë më mirë.
- Mbron trurin tuaj nga plakja dhe sëmundjet neurodegjenerative
Imagjinoni trurin tuaj si një muskul: sa më shumë stërvitje të bëni në të, aq më i fortë dhe më i madh bëhet.
Studimet te njerëzit sugjerojnë se stërvitja e rregullt mund të rrisë madhësinë e hipokampusit dhe korteksit paraballor, të cilat të dyja janë të ndjeshme ndaj sëmundjeve neurodegjenerative si demenca dhe Alzheimer.
Tani pyetja e vetme e mbetur është: Kur do të ngriheni dhe do të filloni transformimin e trurit tuaj?
Burimi: CNBC