Nëse ke mbyllur punët e vitit, ke pas shpine çantën e rrobave të lehta, dhe kohën e duhur për ti dedikuar qejfit e aventurës, natyra të rezervon plot supriza kur zbret pak më poshtë Himarës. Pas një rruge gjarpëruese që kalon mes ullinjve dhe rrepeve të fshatit Vuno, shfaqet Jali. Plazh i qetë me ujëra të ftohtë dhe të pastër, gjiri i Jalit ka qënë ai i preferuari i qeveritarëve të periudhës komuniste e vazhdon të zotërojë të njëjtën fuqi magnetike mbi popullin e gjerë. Bregu gjysëm rrethor, sikur është lakuar me dorë, rëra e bardhë me guralecë të vegjël, kodrina që bie si një thikë mbi det, një zonë e shkëputur nga rruga kombëtare, pa e tepruar mund ta quash një parajsë të vogël.
Plazhi
Bregu i Jalit, jo më shumë se 300 metra, është i gjithi përballë diellit dhe çdo buzëbrëmje mahnitesh nga ngjyrat e pabesueshme të perëndimeve të diellit që lodrojnë mbi sipërfaqen e detit. Jali njihet për ujërat më të pastra në Jon. Me sy të lirë mund të dallosh në disa metra thellësi gurët e valëzimet e tokës nën ujë. Mund të zhytesh me profesionistë të zonës për të njohur thellësinë e për t’u njohur me gjallesat miqësore të nënujit, që për shkak të rrymave në gjirin e Jalit, në fillim dhe në fund të sezonit veror, mund t’ i hasësh shumë pranë bregut.
Kamping
Jeta e kampingut në gjirin e Jalit është gjithashtu një prej më të njohurave në vend me një histori e cila fillon para se plazhet e tjerë t’i bashkoheshin këtij trendi. Në këtë gji të vogël ka disa zona kampingu ku shumë grupe të mëdha të rinjsh e kanë bërë traditë të mblidhen çdo verë e të përjetojnë Jalin në një mënyrë jo tradicionale apo të kushtueshme. Tashmë kampingu është bërë një alternativë ideale për të shijuar sa më shumë jetën sociale e atmosferën që krijohet aty. Për një tjetër atmosferë, përveç hoteleve, kampingut, apo shtëpive të pushimit pranë plazhit, mund të akomodohesh edhe në shtëpitë e fshatit Vuno, i cili qendron lart mbi gjirin e Jalit. Ky fshat, ruan gjurmë të kishave të vogla me vlera historike, si Kisha e Shën Sotirës apo ajo e Shën Mërisë.
Jeta e natës
Jali është plazhi i kampingjeve më me famë në jug, por është edhe plazhi elitar i klubeve të reja. Ndonëse i vogël, në Jal përqendrohet një pjesë e madhe e gjallërisë verore, me Folie Marine si një nga qendrat më të mëdha të jetës së natës në jug. Gjatë ditës, ky vend mirëpret të rinjtë nën çadrat e tij në pjesën ekskluzive të plazhit ku shijohen koktejlet më të mirë të zonës. Gjatë natës, klubi tjetërsohet e mbledh DJ-të e këngëtarët e njohur për festa që vazhdojnë deri në mëngjes. Çdo fundjavë, shumë nisen nga qytete të ndryshme të Shqipërisë pikërisht për të shijuar këtë atmosferë të parezistueshme.
Panorama
Jali ruan një pjesë interesante të periudhës së komunizmit në Shqipëri. Në njërën nga kodrat buzë plazhit kryesor ngrihet një ndërtim i viteve ‘70 ku tashmë pushojnë oficerë madhorë të ushtrisë shqiptare. Duke zënë vendin me strategjik të Jalit, qeveritarët e asaj kohe shijonin privatësinë si edhe pamjet më të bukura të plazhit. Për fat, sot këto pamje mund të shijohen nga të gjithë.
Burimi: Into Albania