Puka është një qytet i vogël por me një natyrë të madhe. Rrethi i Pukës për vetë natyrën dhe pozicionin gjeografik që ka, është shumë i përshtatshëm për ture të llojeve të ndryshme, si edhe për të gjitha sportet e aventurës.
Ndër të tjera Puka shquhet dhe për një sërë shpellash, ku deri tani janë të evidentuara mbi 50. Një pjesë e tyre gjenden pranë zonave të banuara, si vendburime lashtësie, apo vendstrehime e vende të sigurta. Do të veçonim: shpella e Zanave pranë Kalasë Dalmacies, shpella e Pëllumbave në Buzhalë, shpella e Kaurrit në Lëvrushk, shpella e Kolikes, dy shpellat e Shqipes në murgë të Buzhalës, shpella e Ujkut në Tërbun, Shpella e Kacisë etj.
Gjatësia dhe madhësia e tyre është e ndryshme, po ajo e Kaurrit arrin deri në 110m. Vetë ndërtimi i tyre dhe muret në hyrje që akoma ruhen dhe janë me mjaft interes, mendohet se i përkasin shekujve VII–VIII; këto janë një pasuri e shtuar për Pukën krahas natyrës së mrekullueshme që ka.
1. Shpella e Kaurrit
E pozicionuar vetëm 40 km larg qytetit të Pukës, kjo shpellë prej shumë vitesh ka qenë e panjohur për banorët. Ndodhet afër fshatit Lëvrushk, në malin e Kollatës dhe është një monument kultrure i denjë për t’u vizituar nga afër. E formuar si shpellë karstike në formacionet e gëlqerorëve të periudhës së trias–jurasit, kjo shpellë është e gjatë 110 m. Dallohet si një shpellë tipike karstike me stalaktite dhe stalagmite që i japin më tepër bukuri. Shpella e Kaurit ka qenë e banuar që në lashtësinë e hershme. Por edhe më pas, gjatë periudhës bizantine ka gjurmë jete. Kjo shpellë ka qenë një vend ideal për murgjit, të cilët më të qetë dhe më të vetmuar se aty nuk kishin ku të gjenin vend tjetër. Sot ajo tërheq shumë turistë për karakteristikat e saj, si edhe për natyrën që e rrethon.
2. Shpella e Kolikes
Shpella e Kolikes për nga vetë gjatësia që ka, mbetet një itinerar interesant për t’u eksploruar. Ndodhet në fshatin Ukth dhe është shpellë karstike mbi të cilën janë ndërtuar shumë legjenda të cilat dëshmojnë gjatësinë e saj të madhe. Ende dhe sot është e pa eksploruar e gjithë sipërfaqja e saj. Pranë kësaj shpelle ndodhet dhe Qafa e Lesë, me bukuri të rrallë natyrore, me burime e mrize shekullore.
3. Shpella e Shqelit
Shpella e Shqelit është sot baza kryesore natyrore, që e bën këtë vend të përshtatshëm për një fortesë me rëndësi që para pushtimit romak. Kjo shpellë ndodhet 12 km në jugperëndim të qytetit të Pukës dhe karakterizohet nga thellësia e maleve të veshura me pyje, plot me qafa të ngushta e lugina të thella duke e bërë këtë vend një pikë interesante në udhën Shkodër-Pukë- Dardani.
4. Shkëmbi i Zanave
Ndodhet në veri-lindje të fshatit Qerret, me një lartësi 680 m mbi nivelin e detit. Përveçse shkëmbit, është shpella, mulliri si dhe mrizi po me të njëjtin emër, tepër atraktive dhe mbresëlënëse për t’u vizituar. Brenda saj dëgjohen zhurma karakteristike të ujërave nëntokësorë, por ajo më e veçanta është jehona e zanave, nga e cila ka marrë emrin “Mulliri i Zanave”.
5. Shpella e Orëve (Gojan i Madh)
Shpella e Orëve është një shpellë e vogël, por mjaft e bukur dhe e veçantë, e vetmja në llojin e saj në Shqipëri. Burimi i ujit që rrjedh sipër saj e ka veshur shpellën nga të gjitha anët deri poshtë në përrua duke krijuar formacione të jashtëzakonshme dhe një pamje tepër panoramike të gjithë zonës përreth. Deri në vitet 60’, kjo shpellë, ka shërbyer edhe si vend peligrinazhi dhe këtë e tregon edhe emri i saj “Shpella e Orëve”, pra vend ku rrinë Orët.
Orët janë figura mitologjike, figura besimi të popullit tonë që e kanë zanafillën nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Më shumë “ORA” si mbrojtëse apo çudibërëse njihet te Cikli i Kreshnikëve e cila i ruante dhe i mbronte në luftrat e ndryshme.
Shpella është e njohur nga banorët e kësaj zone si vend i shenjtë, por edhe me veti shëruese.
Burimi: Into Albania