Në datat 13-20 tetor 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Shqipërisë në FMN, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat për shkak të pandemisë u zhvilluan virtualisht.
Në këto mbledhje të organizuara në tryeza të përbashkëta, vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare, diskutojnë mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmërinë për të ardhmen e ekonomisë botërore.
Në përfundim të këtyre takimeve u publikua deklarata për shtyp e Komitetit Monetar e Financiar të FMN-së, në të cilën u theksua se: “Ekonomia globale vijon të rigjallërohet. Megjithatë, dallimet midis ekonomive vijojnë të jenë të pranishme, duke pasqyruar diferencat e forta në sigurimin e vaksinave dhe ato të mbështetjes me politika. Shfaqja e varianteve të reja të virusit ka çuar në rritje të pasigurisë, e për pasojë rreziqet ndaj rigjallërimit janë zhvendosur në kahun e poshtëm. Bashkëpunimi i fuqishëm ndërkombëtar dhe veprimi i menjëhershëm janë të nevojshëm për të përshpejtuar vaksinimin universal, me qëllim: frenimin e përhapjes së pandemisë; kufizimin e dallimeve; dhe për të mbështetur një rikuperim gjithëpërfshirës kudo në botë.
Përkundrejt një mjedisi kompleks, ne duhet të kalibrojmë në mënyrë të kujdesshme politikat tona të brendshme me zhvillimin e pandemisë dhe brenda hapësirës së disponueshme për zbatimin e politikave. Ne do të vijojmë të kemi parësore shpenzimet për shëndetin dhe mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara, dhe do të zhvendosim fokusin – kur të jetë e përshtatshme – nga përgjigjja ndaj krizës, në nxitjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë afatgjatë fiskale, duke përfshirë, aty ku është e mundur të zbatohet, forcimin e kuadrove fiskalë në periudhën afatmesme. Bankat qendrore po monitorojnë nga afër dinamikat e çmimeve dhe mund të analizojnë presionet inflacioniste, të cilat janë kalimtare. Ato do të marrin masat e përshtatshme në qoftë se rreziqet mbi pritshmëritë e inflacionit për zhvendosje bëhen konkrete. Komunikimi i qartë për qëndrimet e politikës monetare mund të ndihmojë në kufizimin e ndikimeve negative në të gjithë vendin. Ne do të vijojmë të monitorojmë, dhe sipas nevojës, të trajtojmë dobësitë financiare dhe rreziqet ndaj stabilitetit financiar, përfshirë edhe nëpërmjet zbatimit të politikave makroprudenciale të shënjestruara. Gjithashtu, po ndërmarrim një veprim gjithëpërfshirës për të zgjeruar ndihmën financiare për vendet në nevojë, duke mbështetur njëkohësisht përpjekjet e vendeve për t’iu rikthyer qëndrueshmërisë së borxhit dhe për të forcuar praktikat e transparencës së borxhit si nga debitorët ashtu dhe nga kredituesit, si publikë dhe ata privatë.”
Në Mbledhjet Vjetore të FMN-së dhe BB-së, Shqipëria u përfaqësua nga një delegacion i përbashkët i përbërë nga Banka e Shqipërisë: me përfaqësues Guvernatorin, z. Gent Sejko, Zëvendësguvernatoren e Parë, zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatoren e Dytë, zj. Natasha Ahmetaj, si dhe drejtues të tjerë të lartë të Bankës; nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë: me përfaqësues Ministren, zj. Delina Ibrahimaj, Zëvendësministren, zj. Adela Xhemali, Zëvendësministren, zj. Vasilika Vjero, si dhe drejtues të tjerë të lartë të këtij institucioni.
Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare. Ndër to mund të veçojmë takimet me përfaqësuesit e FMN-së: z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit për Evropën në FMN; z. Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë; zj. Yan Sun, Shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë; z. Udaibir Das, këshilltar dhe asistent Drejtor pranë Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale; si dhe takimet me përfaqësues nga grupi i BB-së: zj. Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore; dhe me z. Matteo Bugamelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë. Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë gjithashtu edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në takimin e Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL).
Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare, ku theksoi se ka nisur rimëkëmbja ekonomike graduale që do të përshpejtohet gjatë pjesës së mbetur të vitit 2021 si dhe gjatë vitit 2022. Tashmë kjo rritje është kthyer në nivelin e saj të para goditjeve të tërmetit dhe pandemisë. Megjithatë, Guvernatori Sejko shtoi se projeksioni i rimëkëmbjes ekonomike varet nga shumë faktorë, si ecuria e pandemisë, qëndrueshmëria e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore, si dhe nga ndikimi i goditjeve aktuale të ofertës.
Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të ketë ndikimin e saj në ecurinë e inflacionit në Shqipëri dhe vlerësohet, sipas Guvernatorit, si një faktor rreziku për nivelin e inflacionit dhe – potencialisht – për shpejtësinë e rimëkëmbjes ekonomike, megjithatë efekti i tij pritet të jetë kalimtar. Si gjithmonë, Banka e Shqipërisë mbetet në monitorim të pasojave që do të ketë rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe në rast se ndikimi i saj në inflacionin vendas do të jetë më i lartë se pritjet, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të rishikojë qëndrimin e politikës monetare, duke u kujdesur që ajo të jetë gjithnjë në përputhje me objektivin e inflacionit.
Guvernatori theksoi se gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë ka ruajtur kahun stimulues të politikës monetare, në shërbim të kthimit të qëndrueshëm të inflacionit në objektiv, si dhe mbështetjes së rritjes ekonomike.
Një tjetër çështje e diskutuar gjatë takimeve ishte konsolidimi i sistemit bankar, për të cilën Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e fokusuar në mbikëqyrjen e këtij sistemi. Banka e Shqipërisë vlerëson se sistemi financiar dhe sektori bankar kanë vijuar të performojnë në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht rreziqeve të veprimtarisë.
Në veçanti, sektori bankar zgjeroi ndjeshëm veprimtarinë dhe treguesit kryesorë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë u përmirësua ndjeshëm, si dhe raporti i kredive me probleme arriti nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit, 6.9% në muajin gusht 2021. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve paraqitet i kontrolluar.
Në vijim, Guvernatori u shpreh se fokusi i politikave makroprudenciale të Bankës do të kthehet drejt zhvillimit të mëtejshëm të sistemit financiar. Përmirësimi i arkitekturës rregullatore të këtij sistemi dhe forcimi i rrjetave të sigurisë financiare është një punë e vazhdueshme që merr një vëmendje të madhe nga Banka e Shqipërisë.
Për më tepër, Banka e Shqipërisë do të punojë për të mbështetur zhvillimin e tregut financiar me instrumentet e nevojshme, si dhe do të inkurajojë qeverinë të ndërmarrë veprime konkrete për të mbështetur deeuroizimin e ekonomisë së vendit.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë pret një kthim në kahun konsolidues të orientimit të politikës fiskale, që do t’i shërbente si rritjes së hapësirave të reagimit ndaj goditjeve potenciale në të ardhmen, ashtu dhe kombinimit të duhur të normalizimit të politikave.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zbutjen e efekteve negative të dhëna nga pandemia, si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë.
Në vijim, ata nënvizuan se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare të cilësuar të saktë, e cila ka mundur të sigurojë një mjedis financiar të favorshëm për rritjen e ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv. Më tej, ata shtuan se kjo politikë ka ndihmuar që tregjet financiare të funksionojnë normalisht, kostot e financimit të sektorit publik dhe privat të jenë të ulëta, dhe bilancet e sektorit bankar të paraqiten të shëndetshme.
Ata gjithashtu u shprehën se me masat e marra gjatë pandemisë nga Banka e Shqipërisë, ajo mund të konsiderohet si një model mjaft i mirë ndër bankat qendrore, i menaxhimit të rreziqeve të krijuara nga pandemia.
Gjatë takimeve, Guvernatori Sejko u shprehu falënderimet përfaqësuesve të FMN-së dhe BB-së për mbështetjen dhe asistencën e ofruar në vazhdimësi ndaj Bankës së Shqipërisë në fushën e edukimit financiar, statistikave, ndërhyrjes së jashtëzakonshme, operacioneve financiare, si dhe u shpreh optimist për të vijuar bashkëpunimin në të ardhmen edhe në fushën e mbikëqyrjes financiare.
Burimi: Banka e Shqipërisë