Në një kohë kur shumë biznese po e sigurojnë vetë energjinë përmes burimeve të rinovueshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka iniciuar ndryshime të reja në ligj. Ky ndryshim ka si synim të krijojë më shumë mbështetje për prodhuesit e energjisë nga dielli apo era, si dhe afrohet me direktivën e Komisionit Evropian, bën të ditur TV Klan.
Në projektligj është përfshirë edhe kërkesa e bizneseve për matjen vjetore të energjisë dhe jo mujore. Ligji i ri parashikon që të drejtat dhe përgjegjësitë e vetë-konsumatorëve të rinovueshëm të përcaktohen në një vendim të propozuar nga Ministria e Energjisë, të miratuar më pas nga qeveria.
Sipas ligjit aktual një shoqëri e vogël apo e mesme, si dhe konsumatorët familjarë mund të instalojnë një kapacitet total deri në 500 KW për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, si era apo dielli për të mbuluar një pjesë ose të gjithë energjinë që nevojitet dhe ta injektojë pjesën e tepërt në rrjetin e shpërndarjes.
Me projektligjin e ri vetë-konsumatorët e rinovueshëm do të kenë një kapacitet maksimal prej 500 KW dhe do të kenë të drejtë të gjenerojnë, konsumojnë, ruajnë dhe shesin prodhimin e tepërt të energjisë. Tani përfshihet edhe mundësia e marrëveshjeve dypalëshe pa u përballur me ngarkesa diskriminuese ose joproporcionale.
Burimi: TV Klan