Nuk ka të ndalur rritja e çmimeve. Sipas Institutit të Statistikave shtrenjtimi i fortë i ushqimeve dhe karburanteve veçanërisht ka bërë që edhe ne tetor inflacioni të kërcejë në 8.3%, norma më e lartë e regjistruar që prej vitit 1998, duke reflektuar goditjen e fortë të krizës së çmimeve në vend. Rritja ka rezultuar dyshifrore për këto dy grupe krahasuar me tetorin e shkuar duke rënduar edhe më tej buxhetet e familjeve shqiptare. Brenda grupit të ushqimeve rritjen më të madhe e kanë parë produktet e vajit e yndyrnave, produktet e bulmetit por edhe ato të fruta perimeve.
“Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Tetor 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 16,9 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 14,6 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,5 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 6,1 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,7 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,3 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,0 %, “Shërbimi arsimor” me 1,8 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1,7 %, “Shëndeti” me 1,3 % dhe “Komunikimi” me 0,7 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me me 27,4 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 24,3 %, “bukë dhe drithra” me 17,1 %, “peshk” me 15,3 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 14,7 %, “mish” me 12,4 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 11,8 %, etj. “- thuhet në raportin e Instat.
Nga ana tjerët Banka e Shqipërisë vijon me politikën e saj shtrënguese për të zbutur goditjen e tyre. Pak ditë më parë, për herë të pestë brenda pak muajsh ndërhyrë sërish duke rritur normën bazë të interesit në 2.75%.