Një Bibël Hebraike që është më shumë se 1000 vjet e vjetër mund të shitet deri në 50 milionë dollarë në ankand këtë pranverë, gjë që do ta bënte atë dokumentin historik më të vlefshëm të nxjerrë ndonjëherë në ankand.
Sotheby’s në maj do të nxjerrë në ankand të ashtuquajturin Codex Sassoon, i cili daton në shekullin e nëntë dhe lidh zbulimin e rrotullave të Detit të Vdekur dhe formën e pranuar moderne të Biblës së sotme hebraike.
“Ai është një gur prove jetik i historisë njerëzore,” tha Richard Austin, kreu global i librave dhe dorëshkrimeve të Sotheby.
Përllogaritja e shitjeve të Biblës është nga 30 deri në 50 milionë dollarë. Në vitin 2021, miliarderi i fondit mbrojtës Ken Griffin pagoi 43.2 milionë dollarë për një kopje të botimit të parë të Kushtetutës së SHBA në një ankand të Sotheby. Në vitin 1994 Bill Gates pagoi 30.8 milionë dollarë për Codex Leicester, një koleksion shkrimesh shkencore që përmban vizatime nga Leonardo da Vinci.
Emri “Codex Sassoon” vjen nga pronësia e mëparshme e Biblës, si pjesë e koleksionit të famshëm të David Solomon Sassoon, i cili mblodhi koleksionin më të rëndësishëm privat të dorëshkrimeve Judaica dhe Hebraica në shekullin e 20-të. Përpara Codex Sassoon, vetëm fragmente të teksteve biblike ekzistonin në formë rrotullash, thonë ekspertët.
Sotheby’s tha se ndërsa Bibla zinte një vend të spikatur në koleksionin e Sassoon-it, ajo vetëm kohët e fundit u studiua shkencërisht dhe u datua me karbon nga pronari aktual, të cilin Sotheby’s nuk pranoi ta përmendte.
Datimi me karbon verifikoi datimin e tij në shekullin e 9-të, duke e bërë atë më të vjetër se Kodiku i Aleppos dhe Kodiku i Leningradit, dy Bibla të tjera të njohura të hershme hebraike.
Burimi: CNBC