Ritmet e rritjes së inflacionit janë frenuar, por treguesi edhe për muajin shkurt mbeti mbi mesataren historike, teksa çmimet e ushqimeve u rriten dy herë më shumë se mesatarja e përgjithshme.
INSTAT raportoi sot se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin shkurt shënoi rritje vjetore me 7,1%, një vit më parë ky ndryshim ishte 3,9%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Shkurt 2023, krahasuar me Janar 2023 është 1,1%.
Krahasuar me muajin Shkurt 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13,5%, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,5%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,1%, “Veshje dhe këpucë” me 4,4%, “Argëtim dhe kulturë” me 3,4%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,1%, “Shërbimi arsimor” me 2,3%, “Transporti” me 1,7%, “Komunikimi” me 1,2% dhe “Shëndeti” me 1,0%.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 28,0%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 17,4%, “peshk” me 16,3%, “bukë dhe drithëra” me 15,2%, “mish” me 13,8%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 13,2%, “zarzavate përfshirë patatet” me 9,6%, etj.
Krahasuar me muajin Janar 2023, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3,3%, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,7%, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3% secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2% dhe “Shëndeti” me 0,1%. Nga ana tjetër, çmimet i grupit “Transporti” u ulën me 2,8%, pasuar nga “Veshje dhe këpucë” me 0,2%.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore e çmimeve në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,80 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,59 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,50 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,25 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,18 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me +0,09 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje secili.
Burimi: Revista Monitor