Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të ulet në tremujorin e dytë.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shuma e përgjithshme e huamarrjes e planifikuar për tu siguruar nëpërmjet emetimit të instrumenteve financiarë do të jetë 96.5 miliardë lekë, duke përfshirë këtu edhe rifinancimin e borxhit të maturuar.
Vlera e huamarrjes së qeverisë pritet të lehtë lehtësisht më e ulët krahasuar me vlerën prej pothuajse 109 miliardë lekësh të tremujorit të dytë të vitit të kaluar. Diferenca me tremujorin e dytë të vitit të kaluar lidhet kryesisht me emetimin, një vit më parë, të obligacioneve dyvjeçare në euro në tregun e brendshëm, për një shumë prej 100 milionë eurosh (afërsisht 12 miliardë lekë, me kursin e një viti më parë).
Ndërkohë, diferenca në vlerën e huamarrjes pritet të jetë edhe më e lartë krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Për tremujorin që po mbyllet qeveria ka planifikuar një huamarrje të përgjithshme në vlerën e 121 miliardë lekëve. Por, në fakt, në shumicën e ankandeve të zhvilluara këtë tremujor shuma e financuar ka qenë më e madhe se ajo e planifikuar.
Ministria e Financave ka shfrytëzuar likuiditetin e lartë në treg dhe yield-et në rënie për të rritur shumë e emetimeve deri në limitin prej 15% të shumës, që lejon kuadri nënligjor që rregullon emetimin e instrumenteve të borxhit në tregun e brendshëm. Për këtë arsye, vlerësohet se shuma e financuar ka qenë ndjeshëm më e lartë se vlera e planifikuar prej 121 miliardë lekësh.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit, kërkesa e qeverisë për borxh pritet të jetë më e ulët. Ulja e huamarrjes përkon edhe me një ndryshim të pritshëm në kushtet e tregut të brendshëm financiar. Banka e Shqipërisë ka frenuar rritjen e normave të interesit që prej muajit nëntor, duke mbështetur një cikël korrigjimi në rënie të yield-eve të bonove dhe obligacioneve.
Pas rritjes së fortë që regjistruan deri në muajin nëntor, në vijim yield-et kanë pësuar një rënie të ndjeshme për të gjitha instrumentet. Por, ky cikël korrektues tashmë mund të jetë pranë fundit. Tashmë, rritja e yield-eve reflekton në masë të përafërt rritjen e normës bazë të interesit.
Në muajt në vijim, pritet që Banka e Shqipërisë të rifillojë normalizimin e politikes monetare dhe rritjen e normave të interesit. Këto lëvizje do të pasqyrohen edhe në yield-et e titujve të borxhit qeveritar, që me shumë të ngjarë do të rriten sërish në tremujorin e dytë të vitit.
Sipas buxhetit të vitit 2023, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuara për tu financuar në tregun e brendshëm është 25 miliardë lekë, 24% më pak krahasuar me vitin 2022. Ulja e huamarrjes së brendshme është e lidhur, në radhë të parë, me parashikimin në ulje të deficitit buxhetor.
Për vitin 2023, deficiti i buxhetit parashikohet në vlerën e 55.5 miliardë lekë, në rënie me pothuajse 34% krahasuar me planin e këtij viti. Në terma realë, deficiti pritet të bjerë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 4.1% për vitin 2022. Shpenzimet për interesa në buxhetin 2023 parashikohen në vlerën 60.9 miliardë lekë, në rritje me 20% krahasuar me vitin 2022.
Burimi: Revista Monitor