Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ishte e pranishme sot nëPanairin e Punës dhe Aftësive, i cili zhvillohet në datat 25-26 prill në ambientet e Pallatit të Kongreseve, nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.
Në këtë panair marrin pjesë 35 kompani, 15 prej të cilave janë të huaja, dhe 29 institucione arsimore dhe trajnimi. Në total numri i vendeve të lira që ofrohen për punëkërkuesit është 1200.
Ministrja Ibrahimaj vizitoi nga afër stendat e kompanive pjesëmarrëse në panair, ku u njoh nga afër me to dhe bashkëbisedoi lidhur me ofertën e tyre të punës.
Ministrja vlerësoi organizimin e këtij eventi si një mundësi shumë e mirë për punëkërkuesit dhe për punëdhënësit, përmes së cilës ndërlidhet më së miri kërkesa me ofertën.
Sipas Ibrahimaj, bizneset e pranishme në Panairin e Punës dhe Aftësive janë një shembull shumë i mirë se si sipërmarrja është duke u transformuar, se si kompanitë po zhvillohen dhe po gjejnë rrugët për të qenë sa më konkurruese në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, në sektorë, si: teknologjia, industria, shërbimet etj., ku paga mesatare është rreth 110,000 lekë.
Në ditën e parë të tij, Panairi i Punës dhe Aftësive u vizitua nga 3000 persona, të cilët u njohën nga afër me vendet e lira të punës të ofruara.
Të gjithë punëkërkuesit mund të njihen me ofertën e vendeve të punës edhe përmes portalit puna.gov.al, ku aktualisht janë rreth 3,300 vende të lira.