Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka deklaruar se nga zhvlerësimi i euros kanë humbur kompanitë që kanë lidhur kontrata para se të binte euro. Në një prononcim për mediat, Ibrahimaj tha se lëvizjet e euros janë pjesë e riskut për të bërë biznes.
“Shqipëria prej shumë vitesh ka vendosur që të aplikojë një kurs këmbimi jo të fiksuar por të lirë. Kursi i këmbimit të lirë, në krizat e njëpasnjëshme që na është të kalojmë, ka qenë një stabilizues i funksionimit dhe të gjitha goditjeve që kemi pasur, Ka disa kompani që fitojnë dhe disa që humbin dhe kjo është pjesë e riskut të të bërit biznes. Kompanitë që kanë pasur humbje janë ato që kontratat i kanë lidhur shumë kohë më parë, para se të zhvlerësimi i euros. Ne analizojmë me kujdes çdo lëvizje. Kursi i këmbimit nuk afekton vetëm kompanitë eksportuese. Normat e interesit të kredive në euro kanë bërë që euroja të bëhet atraktive. Analiza bëhet në të gjithë fushat,”- tha Ibrahimaj per mediat.
Sipas ministres së financave dhe ekonomisë Delina Ibrahimaj zhvlerësimi i euros ka të bëjë dhe me paranë informale, por faktorë kryesor sipas saj janë turizmi dhe remitancat.
Zhvlerësimi i euros ka arritur vlera minimale gjatë kësaj jave të Prillit. Aktualisht, një euro këmbehet me rreth 110.98 lekë.
Rënia e euros sjell përfitime për të gjithë ata qytetarë apo biznese që kanë kredi në euro, por edhe për qeverinë pasi mund të shlyejë këstet e borxheve, me kosto më të ulët.