Importuesit, eksportuesit, fermerët, subjektet e tregtimit dhe përpunuesit e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera, do të kenë detyrimin të regjistrohen në Drejtorinë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (DRVMB) të rajonit ku ushtrojnë aktivitetin.
Ministria e Bujqësisë ka miratuar udhëzimin që përcakton kriteret dhe procedurat e regjistrimit të operatorëve profesionistë, të cilët kryejnë veprimtari si mbjellje; shumim; prodhim, përfshirë rritjen, shumimin dhe mirëmbajtjen; importin, lëvizjen brenda territorit të vendit dhe eksportin; vendosjen në treg.
Agjencia e Mbrojtjes së Bimëve regjistron të gjithë operatorët profesionistë që ushtrojnë aktivitete në territorin e vendit, kur qarkullojnë brenda territorit bimë, produkte bimore dhe objekte të tjera, për të cilat kërkohet një certifikatë fitosanitare ose pasaportë bimore; operatorët profesionistë të miratuar për lëshimin e pasaportës bimore; operatorët profesionistë të miratuar për vulosjen e ambalazheve dhe paletave prej druri, etj.
Të gjithë këta operatorë regjistrohen vetëm një herë dhe duhet të bëjnë një kërkesë pranë Agjencisë së Mbrojtjes së Bimëve, shoqëruar me të dhënat e detajuara të aktivitetit të tyre, për tu bërë pjesë e këtij regjistri.
Ndërkohë Ministria e Bujqësisë ka miratuar edhe udhëzimin që përcakton kriteret dhe kushtet kur një operator i regjistruar mund të pajiset me pasaportën bimore si dhe rastet e heqjes së saj. Sipas udhëzimit në fjalë, pasaporta bimore lëshohet vetëm për bimë, produkte bimore dhe objekte të tjera për të cilat është kryer një ekzaminim i kujdesshëm, individualisht ose me mostra përfaqësuese.
Ekzaminimi përfshin gjithashtu materialin e paketimit të bimëve. Operatori profesionist, i cili kërkon të miratohet për lëshimin e pasaportës duhet të bëjë një kërkesë pranë Agjencisë së Mbrojtjes së Bimëve dhe duhet ti nënshtrohet një kursi trajnimi të cilat organizohen nga kjo agjenci në bazë të kërkesave të ardhurave.
Pasaporta bimore është një garanci për lëvizjen e këtyre produkteve brenda edhe jashtë vendit të origjinës, duke mundësuar gjurmueshmërinë, lehtësuar tregtinë dhe shmangur problematikat e ndodhura herë pas here në eksport me bllokim të ngarkesave të ndryshme.
Burimi: Scan