Marikatex, kompania me një histori suksesi mbi 32 vjeçare në Gjirokastër sot po drejtohet nga gjenerata e dytë. E fokusuar aktualisht në prodhimin e veshjeve speciale ushtarake, Marikatex ka funksionuar si një biznes familjar i trashëguar brez pas brezi.
MarikaTex hapi dyert e saj në vitin 1991 dhe vitet e fundit bashkëpunon me koorporata nga e gjithë bota.
Në një intervistë për Probizz.al Z. Laert Karanxha, Ceo i Marikatex na tregon për arritjet dhe sfidat e momentit.
-Sa vite keni në treg dhe çfarë produktesh prodhoni?
Ne jemi një kompani 32 vjeçare, unë dhe motra ime që e drejtojmë aktualisht kompaninë jemi gjenerata e dytë pasi këtë si biznes na e kanë lënë prindërit tanë. Vitet e fundit kemi kaluar në sektorin e rrobave teknike ushtarake dhe punojmë për vendet e huaja si Anglia, Gjermania, Finlanda, Suedia dhe shumë vende të tjera.
– Si e shikoni sektorin e prodhimit apo përpunimit në Shqiperi për pjesën e tekstileve?
Sa i përket sektorit tonë ka pasur shumë vështirësi që nga pandemia e tutje, në vitet e fundit ndihet një rënie e kërkesave tek pjesa e modës dhe një ngritje tek rrobat ushtarake. Në këtë fazë ka patur dhe shumë probleme sa i përket rënies së euros dhe në rritje të çmimit të pagave. Momentalisht kemi një ngritje që nga nëntori i kaluar deri tani diku tek 50 % të shpenzimeve aktuale.
-Cilat janë sfidat me të cilat po përballeni?
Sfidat që kemi tani janë që të përballojmë rritjen e kostos së kompanisë, besoj se pjesa më e vështirë është që të përballojmë kontratat që kemi më shumë më klientin tonë. Ne kemi nënshkruar një kontratë 7 vjeçare për një tender që është për të gjitha vendet skandinave dhe kapaciteti që na kërkohet është diku tek 350 punëtorë, dhe ne kemi rreth 180 në dy filialet tona.
Sa ju penalizon mungesa e fuqisë punëtore?
Aktualisht fuqia punëtore është problemi më i madh në sektorin tonë duke menduar që të paktën në dy a tre vitet e fundit kanë ikur rreth 25 mijë veta nga sektori jonë dhe nuk ka prurje të re që mund të themi që të rinjtë janë të interesuar për këtë fushë. Ajo që ishte një mundësi që e shikonim ne ishte që të vinin njerëzit nga jashtë, nga Bangladeshi, nga India etj. Kjo deri diku është e pamundur pasi ata që vijnë këtu e shohin Shqipërinë si një vend tranzit për të ikur jashtë shtetit dhe risku për ne që të paguajmë të gjitha shpenzimet e tyre si qëndrimin, si lejen, si ardhjen në Shqipëri dhe pastaj të na ikin, duke menduar që duhet t’u ofrojmë dhe ushqimin dhe akomodimin në vendet përkatëse.
-Keni investuar në teknologji dhe pajisje?
Sa i përket automatizimit në këtë nivel në dy vitet e fundit kemi bërë një investim shumë të madh në pjesën automatike, duke kapur shifrën 250 mijë euro dhe duke parashikuar që për dy vitet e ardhshme të bëjmë dhe mbi 200 mije euro të tjera në makina automatike, por kjo është një rrobë ushtarake dhe është shumë e vështirë automatizimi sepse në përgjithësi automatizimi vjen për produkte më të thjeshta. Sidoqoftë nuk do ngelim mbrapa pasi në kohën që jemi automatizimi është i vetmi shpëtim për ne që të paktën të mos kemi nevojë kaq shumë për njerëz të kualifikuar për ato makina, pasi kanë nevojë për një njeri që të jetë në nivele më normale, të kualifikimit.
-A keni mbeshtetje nga instancat qeveritare?
Aktualisht nuk është se kemi ndonjë ndihmë të them të vërtetën, që mund të parandalojë të paktën pjesën e rënies së euros. Mund të jepja shumë sugjerime për të paktën këto periudha që ka shumë rënie të euros, që ne jemi një kompani që vetëm eksportojmë dhe të ardhurat tona janë vetëm në euro, të bëjnë disa lehtësime në pjesën e tatimit mbi fitimin ose të paktën të na ndihmonin tek pjesa e rimbursimit të tvsh-së, por në anën tjetër nuk është se kemi ndonjë ndihmë.
-Sa janë kapacitetet prodhuese në kompani?
Aktualisht kemi diku tek 5 mijë copa rroba ushtarake teknike, si sasi nuk është se është e madhe, por rrobat tona janë rroba që janë kundra ujit, të cilat janë shumë të vështira, dhe kjo na bën që ne të jemi nga të paktat kompani në Europë që arrijmë 95 % të prodhimit.
Keni shumë staf të punësuar?
Si kapacitet fuqi punëtore jemi tek 180 veta në filialet tona. Ajo që parashikoj unë është që në 5 vjeçarin e ardhshëm, shumë kompani që nuk kanë arritur të zhvillohen në teknologji ose nuk kanë arritur të japin pagat tek punonjësit ata që i meritojnë konkretisht, një pjesë shumë e madhe e tyre do falimentojnë, dhe ata që do mbijetojnë në fund fare do jenë kompanitë që kanë arritur automatizimin në maksimum siç pretendojmë ne të arrijmë në 80 % të produkteve tona me automatizime.
Cilat janë objektivat tuaja në të ardhmen?
Objektivat tona janë ato që i kemi thënë që në 2018-ën kur ne ishim një kompani fasone që qepnim rroba të thjeshta dhe kemi vënë një qëllim që në vitin 2023 të kalojmë vetëm në rroba speciale ushtarake . Ne kemi bërë një bashkëpunim me një kompani që është ndër më të mëdhatë në botë dhe tani pretendojmë që të mbarojmë kontratën 7 -vjeçare me ata dhe mbaron në 2030. Tani jemi në fazë që të automatizojmë komplet ndërmarrjen e të shkojmë në një stad tjetër siç është standardi aktualisht në fushën tonë.
Në mbi 30 vite operimi në prodhimin e veshjeve Marikatex ka punuar me shumë klientë të mëdhenj si· H&M · GUY LAROCHE · 3 DJEM · PUNË ITALIANE · BENISIMO · NDRYSHIM · BERTO LUCCI etj.