Probizz.al ka intervistuar një tjetër shqiptar që po arrin suksese jashtë vendit. Luka Lamaj, vetëm 23 vjeç, krijues i platformave innovative që aplikohen gjerësisht në sistemin shëndetësor në Kanada dhe jo vetëm. Shkollimi i tij në fushën e shkencës pavarësisht se duket e vështirë të integrohet në sistemin shqiptar, Luka shpreson shumë që një ditë do kontribuojë për atdheun. Në rrëfimin për Probizz.al, 23 vjecari na tregon ekskluzivisht edhe për projektin më të fundit të tij.
Cili është suksesi më i fundit i “Docere Health”?
Docere Health fitoi çmimin e parë në Microsoft Pitch Competition 2023 si start-upi më i mirë në Amerikën Veriore dhe u shpall si start-upi më i mirë i krijuar nga studentët në Kanada. Po ashtu, ata fituan çmimin e parë në një kompeticion të zhvilluar nga MIT dhe Harvard Medical School.
Sa e ka ndihmuar ky start up teknologjik mjekësinë në Kanada ?
Sipas studimeve të fundit, në Kanada, një shifër shqetësuese prej 10,000 mjekësh largohen në pension të parakohshëm çdo vit për shkak të “burnout” dhe rritjes së barrës së detyrave administrative dhe kujdesit ndaj pacientëve. Një nga pasojat më të mëdha të kësaj krize të djegies është mungesa e mjekëve të familjes në Kanada. Një tregues i rëndësishëm i kësaj mungese është numri në rënie i të diplomuarëve të mjekësisë që zgjedhin mjekësinë e pergjithshme si specializim. Në vitin 1998, 32 % e diplomuarëve të mjekësisë zgjodhën mjekësinë e përgjithshme, ndërsa në vitin 2016, ky numër ka rënë në 18%. Barrës së menaxhimit të burokracive administrative, kujdesit ndaj pacientëve dhe detyrave të tjera ka bërë që shumë mjekë të ndjehen të mbingarkuar dhe të zhgënjyer me profesionin. Si rezultat, shumë mjekë po lënë profesionin e tyre për të marrë drejtime të tjera siç janë konsulenca apo biznesi. Ndërsa sistemi shëndetësor kanadez përballon këtë krize, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë të njëjtat problematika. Në rritje janë shkallët e “burnout” midis mjekëve amerikanë, duke arritur nivele shqetësuese. Për tju përgjigjur pyetjes tuaj, 170 klinika dhe 3 spitale përdorin software-in tonë të inteligjencës artificiale (AI). Një doktor i familjes në një prej këtyre klinikave po përballej me “burnout”, duke parë një numër të papërballueshëm prej 9 pacientësh në orë dhe duke lënë vetëm 7 minuta për pacient. Përmes zbatimit të “dashboardit” qendror të Docere Health dhe integrimit të bërë me kartelat elektronike të pacienteve (EHR), ne automatizuam proceset administrative, duke i kursyer doktorit 2 orë çdo ditë, gjë që ka çuar në rritjen e fitimit të tyre me 1,000$/ditë. Kjo kohë e re e krijuar nga platforma jonë lejoi klinikën të pranojë më shumë pacientë të rinj, por edhe të rrisë kohën që doktori kalonte me pacientin nga 7 minuta në 14 minuta, duke rritur të ardhurat dhe përmirësuar cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve.
A ka ndonjë mundësi që projekti të zhvillohet edhe në Shqipëri në të ardhmen?
Ne shohim Shqipërinë gjithmonë si një vend ku dëshirojmë të zhvillojmë biznesin tonë dhe të zgjerojmë praninë tonë në Europë. Por në momentin aktual, sistemi shëndetësor në Shqipëri ka nevojë për inovacion në drejtime të tjera, para se të implementojmë thellesisht inteligjencën artificiale. Megjithëse duhet të pranojmë se Shqipëria ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm në sektorin e shëndetësisë vitet e fundit.
Një nga arsyet që u larguat nga Shqipëria është edhe fakti se nuk kishte hapësira ku mund të shpalosnit të gjithë kreativitetin tuaj?
Një nga arsyet pse vendosa te largohesha nga Shqipëria ishte fakti që mu dha nje bursë për të studiuar në Kanada pas studimeve të mia në “Harry Fultz”. Natyrisht, një tjetër arsye pse u largova ishte për të studiuar dhe punuar në shkencë, pasi jam student i Biokimisë, dhe në Shqipëri shkenca është shumë e vështirë të ndiqet sidomos në anën akademike.
Ju vjen keq që po përjetoni vitet më të bukura dhe sukseset tuaja larg atdheut?
Sigurisht që po! Por po ashtu, në të njëjtën kohë jam i lumtur që jam i ri, pasi jam ende 23 vjeç dhe gjithçka që po mësoj dhe fitoj në Amerikën Veriore, një ditë do t’i kthej për të zhvilluar inovacionin në Shqipëri.
Keni ndonjë projekt të radhës që mund të na e zbuloni eskluzivisht për Probizz.al?
Ne po punojmë në zhvillimin e një sistemi AI që ofron trajtim individual për pacientët bazuar në historinë e tyre mjekësore, hulumtimet mjekësore të fundit dhe formularët e plotësuar nga pacientët për të bërë trajtimin shumë të saktë dhe duke përfshirë dhe medikamentet e ndryshme mjekësore për secilin pacient. Ky është një projekt revolucionar sepse po ndërtojmë modelin tonë të AI dhe ndihmon mjekët të kenë jetë më të lehtë, ndërsa ndihmon pacientët të mos shkojnë në spital ose klinikë pa nevojë, dhe gjithashtu e bën trajtimin në shtëpi shumë më të lehtë.
Përshkrim për Docere Health
Docere Health po revolucionarizon mënyrën se si profesionistët e kujdesit shëndetësor menaxhojnë punën e tyre, zvogëlojnë barrën administrative dhe përmirësojnë kujdesin ndaj pacientëve përmes inteligjencës artificiale.