Forcuam bashkëpunimin mes aktorëve në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të klimës së biznesit, tha në fjalën e saj ministrja e shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, në përfundim të javës botërore të Sipërmarrjes të zhvilluar në Tiranë, Shkodër, Korçë dhe Vlorë.
“Për të konkretizuar të gjitha ato nisma që ne duam të ndërmarrim si për nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit, si për përmirësimin e klimës së biznesit, pra për krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm që garanton rritje ekonomike të qëndrueshme,” u shpreh ministrja e shtetit.
Java Globale e Sipërrmarjes në Shqipëri, tha më tej Ibrahimaj, ia arriti qëllimit për të bashkuar në tryeza të përbashkëta aktorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit, për të nxitur diskutime dhe iniciativa, të cilat do të jenë pjesë e planeve të punës së politikëbërjes në vijim.
“Që takimet të mos mbeten të tilla, që fjalët të mos mbeten fjalë, por të konkretizohen me plane pune dhe veprimi. GAP ia doli gjithashtu të vërë theksin te fuqia e bashkëpunimit, te krijimi i një rrjetëzimi, i cili do të vijojë të ndiqet në periudhat në vijim,” shtoi ajo.
Sipas organizatorëve, të gjitha eventet shërbyen për një platformë për sipërmarrësit, drejtuesit e biznesit dhe politikëbërësit që të bashkohen dhe të shkëmbejnë ide, të nxisin partneritete dhe prosperitetin ekonomik.
Në këtë javë botërore të biznesit u angazhuan përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, përfaqësues nga shoqatat e biznesit dhe institucione shtetërore, etj të cilat kontribuan në organizimin e Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes në vendin tonë.
Një javë e tillë zhvillohet në mbi 180 vende në të gjithë botën.
Marrë nga Businessmag.al