Probizz.al u sjell historinë e shqiptares Arta Kallaba. Një vajzë e rritur mes artit, e shkolluar në regjizurë dhe ushtron pasionin e saj si dizajnere. Përkushtimi i saj ndaj familjes dhe e rrethuar nga dashuria që rrjedh prej saj e nxiti të merret me thurjet e punuara me dorë duke i modernizuar ato. Brandi Arta Kallaba-New York jo vetëm që po korr sukses të jashtëzakonshëm në Amerikë, por është kthyer edhe në një frymëzim për shumë e shumë shqiptare të tjerë. Në një intervistë eskluzive për Probizz.al Arta Kallaba thotë se synimi është të shkojmë drejt kualitetit dhe të shmangim “Fast fashion Industry”.
Një regjisore por tashmë edhe një dizajnere. Cili është pasion më i madh për ju apo i shihni të lidhura bashkë ?
Padyshim çdo art është i ndërlidhur me njëri-tjetrin. Gjatë studimeve për regji kemi patur kostumografi ne si lëndë që na ka shoqëruar deri në përfundim edhe të magjistraturës. Unë i shoh si një kombinim i mirë edhe tani me linjën time të modës sigurisht se e kam shndërruar në biznes. Regjia është profesioni im të cilin nuk do ta krahasoja me asgjë.
Prej sa kohësh funksionon Arta Kallaba -New York dhe si mund ta përkufizonit rrugëtimin e markës tuaj?
Gjithmonë kam qenë e apasionuar pas dizajnit të modës, dhe në vitin 2018 fillova një shkollë në Manhattan New York ku mësoja gjërat bazike në fashion. Nga aty fillova të futesha edhe më shumë në këtë botë dhe në kohë pandemie ku ishim gati të mbyllur totalisht nëpër shtëpia unë fillova të thur diçka pasi ishim të izoluar dhe ashtu kaloja kohën. Thurjen e kam patur pasion gjithmonë dhe e kam vlerësuar shumë, por ja që ky ishte momenti që unë të rifilloj të ekperimentoj me të duke ju bërë disa shalla vajzave të mia, një bluzë për vete dhe më ktheu në një kohë kur gjyshet e mia bënin shumë gjëra nga dora dhe për mua ato ishin Arti me i bukur që shihja. Në vitin 2020 u interesova së si të hap një korporatë (biznes) në Nju Jork që të shkoj gjithçka sipas ligjit, dhe ta regjistroj këtë biznesi mark dhe ta kem patent timen, ashtu siç edhe u bë dhe është sot ARTA KALLABA-NEW YORK, dhe vendosa ta kthej në një punë time të përditshme. Punëtorja e parë që mora ishte nëna ime, pasi ajo më ndihmonte ti bëja disa fustane në fillim, dhe pastaj kështu duke u zgjeruar fillova të kërkoj punëtore të tjera.
Në arritjen drejt këtij suksesi keni bashkëpunuar edhe me vajza dhe gra jo vetem nga New York por edhe nga Kosova. Si arritët të krijonin rrjetin tuaj për të sfiduar një treg aq të fuqishëm në New York?
Të them të drejtën, sapo kam filluar këtë biznes dhe e kam publikuar, kam hapur faqe zyrtare të instagramit për të, shumë gra më kanë kontaktuar. Kjo gjë më ka ndihmuar edhe më shumë të përzgjedh. Une kryesisht kam angazhuar gra nga vendet tona shqipfolëse, duke e ditur se ato kanë nevojë më shumë sesa gratë në Amerikë, por kam edhe nga vendet e tjera, si Nju Jork, etj. Sapo më nisën punët e tyre për ti parë, unë vendosa të punoj më shumë me ato që kanë kualitet dhe pastërti në punën që bëjnë.
Me markën tuaj ju keni rikthyer artin e lashtë të thurjesdhe e keni modernizuar atë. Përveç kësaj çfarë ka unike Arta Kallaba -New York?
Siç e thatë edhe ju se e kemi modernizuar Artin e thurjes pasi është lënë shumë pas dore sepse njerëzit filluan të vraponin pas industrisë së shpejtë, rrobave njëpërdorimshe siç thuhet tani “fast fashion industry”dhe askush nuk donte të vishte rroba thurje, i quanin ato rroba fshati, rroba të gjyshes. Ajo që unë kam vënë re pasi kam hap këtë Brand është se kam inspiruar shumë të tjera që së pari t’i veshin ato e pastaj që ta bëjnë të njëjtën gjë të fillojnë të thurin. Jam shumë e lumtur që ende po vazhdoj të inspiroj dhe shumë të tjera që ta kultivojnë këtë Art si dhe ta shëndrrojnë në biznes. Ka shumë prej tyre që më kanë shkruar dhe më kanë thënë që kam qenë inspirim, dhe më kanë falenderuar por ka edhe prej atyre që nuk e kanë thënë, por kanë vazhduar në heshtje ta bëjnë të njëjtën gjë. E di që tek ne shqipëtarët nuk ka shtëpi që nuk ka së paku një gjyshe që di ta bëjë këtë punë, por e mira e kësaj është se unë e kam bërë një brand modern njujorkez dhe është biznes i këtij vendi që nuk është edhe shumë e lehtë të depërtohet në vendet e tilla që janë metropole botërore. Sidoqë të jetë më e rëndësishme është që ti kthehen njerëzit traditave artistike dhe ti ikim industrisë së shpejtë të modës ku mund të dukesh bukur një ditë, por shumë pak kualitet ofrohet nga ato rroba. Përmes kësaj linje unë kam treguar se mund të dukesh bukur, fashion edhe pa i përdorur makinat e prodhimit për të prodhuar rroba, thjesht me dy duar krijon një copë Arti të bukur që është shumë unik dhe është mirë të kultivohet tutje për çdo gjeneratë. Dhe më e veçanta e këtij biznesi është se u kam dhënë mundësi shumë grave tona shqiptare, dhe atyre në moshë, që nuk kanë punuar ndonjëherë dhe kanë shumë talent të punojnë për këtë brand dhe të paguhen.
Cili është produkti më i kërkuar nga veshjet tuaja apo aksesorët? Klientët tuaj janë përgjithësisht shqiptarë apo ka edhe shumë të huaj?
Po e them tani pa modesti se produktet pëlqehen gati nga të gjithë, por shpesh herë varet nga sezoni, dimrit më të preferuarat janë ato jumper/coat të gjata 100% lesh dele, sepse janë shumë të ngrohta për dimër dhe nuk ka nevojë për ekstraxhaketë, kurse gjatë verës fustanet dhe çantat pëlqehen më tepër. Klientet janë të ndryshëm, sigurisht më shumë të huaj, por më gëzon shumë fakti se kemi edhe shumë shqiptarë kliente, dhe kjo më bënë të ndjehem me të vërtetë krenare që produktet tona ofrojnë kualitet.
Duke u angazhuar shumë me dashurinë tuaj për dizajnim keni lënë në hije regjisoren. A keni një plan t’i riktheheni ?
Gjatë këtyre viteve që po merrem me biznesin e modës, unë nuk është se nuk kam punuar edhe në fushën e regjisë, kam realizuar dy filma të metrazhit të shkurtër të cilët kanë marrë pjesë në shumë festivale, si dhe janë shpërblyer, por filmi apo teatri kërkojnë shumë më shumë përkushtim dhe duhet të jem shumë më larg familjes ,vajzave të mia e bashkëshortit për të realizuar një projekt, dhe për shkak të këtij angazhimi familjar ndoshta prioritet më të madh i kam dhënë këtij brendi pasi është online shop, dhe është biznes i menaxhueshëm edhe nga shtëpia. Regjinë nuk do ta le asnjëherë, por sa të bëhen pak të pavarura vajzat edhe unë do të gjej më shumë kohë të kthehem më intensivisht në profesionin tim.
Çfarë këshille do i jepnit një shqiptari apo shqiptareje që zgjedh të emigrojë në Amerikë dhe të mos heqë dorë nga ëndrrat?
Këshilla ime për çdo shqiptar/shqiptare që emigron në SHBA është ta dijë së pari që nuk është një rrugë e shtruar me tapet të kuq këtu. Kërkon punë dhe sakrificë të madhe, mos ti zhgënjej fillimi, sepse është i vështirë. Nëse gjërat nuk mund të ecin ashtu siç do në profesion, mos të dëshpërohen, por ta gjejnë një tjetër rrugë ku mund të shohin një shpresë për të ardhmen e tyre, të forcohen/pavarësohen financiarisht dhe të punojnë fort. Gjithsesi gjatë këtij rrugëtimi prap do të lidhen në ndonjë rrugë që i shpie te ëndrra e tyre sepse ajo që është destinuar për ty, që Zoti e ka shkruar të jetë e jotja, nuk ka kush ta marrë apo ta ndryshojë. Sfidat që do t’ju dalin përpara vetëm se do t’ju bëjnë më të fortë dhe të japin tamam drejtimin e duhur në jetë dhe profesion.
Foto të realizuara nga Fadil Berisha