Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në punimet e Forumit për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, një aktivitet i përvitshëm i “Euromoney” që mbledh së bashku figura të njohura të fushës akademike, ekonomike e financiare për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike.
Guvernatori Sejko shprehu pikëpamjet e tij mbi pasojat e zhvillimeve ekonomike në rajon, si përballja me inflacionin pas goditjes globale të furnizimit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Ai theksoi se kostot për aktivitetin ekonomik kanë qenë mjaft të dukshme, madje disa ekonomi si Eurozona rrezikuan të zbrisnin në recesion.
Sejko u ndal në rastin e Shqipërisë, ku u shpreh se në vendin tonë është arritur reduktimi i inflacionit nga piku prej 8.3% në nëntor 2023, në nivelin prej 4% në dhjetor 2023. Në të njëjtën kohë është siguruar dhe ruajtja e një rritjeje ekonomike solide prej rreth 3.5 % për vitin 2023. Banka e Shqipërisë ka ndjekur një cikël normalizimi të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2023, duke e rritur normën bazë të interesit deri në nivelin 3.25%.
Në forumin dyditor, Guvernatori Sejko deklaroi se me asistencën e BERZH, është kryer paraprakisht një vetëvlerësim i kuadrit ligjor e rregullativ mbikëqyrës me atë të Bashkimit Evropian. Ky vetëvlerësim u bazua në metodologjinë e re të publikuar nga EBA përgjatë vitit 2022. Gjatë këtij procesi u evidentua një nivel i lartë përafrimi i kuadrit tonë mbikëqyrës me atë në fuqi në Bashkimin Evropian. Me daljen e Shqipërisë nga lista e vendeve në monitorim të shtuar, në fund të vitit 2023, Guvernatori ka komunikuar me Autoritetin Bankar Evropian (EBA) duke shprehur gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për të realizuar procesin teknik të vlerësimit. Gjatë takimit, dhe Përfaqësuesit e BERZH konfirmuan, po ashtu, se progresi i bërë në këtë drejtim ka qenë mjaft i kënaqshëm dhe do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme me qëllim që ky proces të finalizohet me sukses brenda këtij viti.