Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Samitin Botëror të qeverisjes, i cili u zhvillua në Dubai me pjesëmarrjen e liderëve nga e gjithë bota, përfaqësuesve të lartë të organizatave ndërkombëtare dhe liderëve të sektorit privat, me temë “Formimi i qeverive të së ardhmes”.
Kryeministri Rama ishte i ftuar në panelin “Ndërtimi i Kombeve: A është teknologjia zgjidhja jonë” në një bisedë me ish – Kryeministrin britanikTony Blair, mbi rolin e teknologjisë në adresimin e sfidave qeverisëse, në një kohë kur Shqipëria renditet ndër vendet me rezultate të spikatura për qeverisjen digjitale.
Rama tha se teknologjia e ka nxjerrë Shqipërinë nga terri i diktaturës, duke bërë që vendi ynë të renditet me rezultate të spikatura për qeverisjen digjitale.
“Për të hyrë në Bashkimin Europian, teknikisht na duhet të transfuzojmë të gjithë të ashtuquajturin korpus të legjislacionit të Bashkimit Europian, sa për t’i dhënë një ide auditorit, janë më shumë se 4 mijë akte ligjore, nënligjore që duhet të transferohen. Tradicionalisht, kjo ka nënkuptuar për vendet përpara nesh një armatë përkthyesish, hartuesish, një armatë certifikuesish dhe minimalisht në rastin e Kroacisë që është shumë e suksesshme u deshën 7 vjet. Pra, Kroacisë iu deshën 7 vjet, 7 vjet vetëm për të bërë këtë transfuzim letrash, është një mal me letra.
Për fat të mirë një prej figurave më të shquara të OpenAI dhe ChatGPT është një zonjë shqiptare. E telefonova në momentin që ChatGPT sapo u shfaq dhe e pyeta, mund ta ndihmosh Shqipërinë të hyjë më shpejt në Bashkimin Europian. Ajo mendoi se po bëja shaka, i thashë jo, a mund ta përdorim këtë për të bërë transfuzimin ajo më tha, ah me interes, le ta provojmë. Dhe testet tona po na tregojnë që mund ta bëjmë në formën aktuale të teknologjisë që është zhvilluar për dy vjet, por duke parë se sa po përmirësohet teknologjia muaj pas muaji, jam i bindur që kjo kohë mund të shkurtohet, pra ka të bëjë me ndryshimin që është e pamundur edhe të para përfytyrojmë se deri ku mund të shkojmë sa i përket mbërritjes me shpejtësi në stacione, të cilat do të kishin kërkuar breza e breza të tërë që ne t’i arrinin” u shpreh kryeministri Rama .