Airbnb po prezanton një ndalim mbarëbotëror për përdorimin e kamerave të sigurisë brenda pronave me qira.
Ndryshimet në politikën e kompanisë do të hyjnë në fuqi në fund të muajit të ardhshëm.
Platforma e qirasë në internet thotë se masa synon të thjeshtojë rregullat e saj për kamerat e sigurisë dhe t’i japë përparësi privatësisë së mysafirëve.
Përdoruesit e Airbnb kanë shprehur më parë shqetësime për përdorimin e kamerave të vëzhgimit të brendshëm.
“Këto ndryshime janë bërë në konsultim me mysafirët tanë, mikpritësit dhe ekspertët e privatësisë dhe ne do të vazhdojmë të kërkojmë komente për të ndihmuar që politikat tona të funksionojnë për komunitetin tonë global,” tha në një deklaratë Juniper Downs, Shefi i Politikave dhe Partneriteteve të Komunitetit të Airbnb.
“Meqenëse shumica e listimeve në Airbnb nuk raportojnë se kanë një kamerë sigurie, ky përditësim pritet të ndikojë në një nëngrup më të vogël listimesh në platformë”, shtoi ajo.
Rregullat aktuale të Airbnb lejojnë përdorimin e kamerave të sigurisë në ambientet e përbashkëta si dhomat e ndenjes dhe korridoret, për sa kohë që vendndodhja e pajisjeve është e qartë në listën e pronës.
Airbnb nuk lejon që kamerat e vëzhgimit të vendosen në zona private si dhomat e gjumit dhe banjot.
Rregullat e reja do të lejojnë ende përdorimin e kamerave të ziles së derës dhe monitorëve të zhurmës në zonat e përbashkëta. Airbnb kërkon të balancojë nevojën që strehuesit të jenë në gjendje të monitorojnë sigurinë e pronës së tyre.
Njoftimi vjen pak më shumë se një javë pasi shfaqja komike amerikane Saturday Night Live transmetoi një reklamë mashtruese të Airbnb e cila përfshinte një shaka për një kamer të fshehur në një tualet. Ajo ka marrë shumë klikime në youtube.
Përkthyer dhe përshtatur nga BBC për Probizz.al