Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet bruto gjatë dy muajve të parë të 2024-s arritën vlerën e 3.5 miliardë lekëve, në rritje me bazë vjetore 8.14%.
Sipas AMF-së, në rritje ka qenë edhe numri i kontratave të sigurimit të lidhura, që gjatë kësaj periudhe arriti në 204,626.
Referuar statistikave tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.28% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.72% dhe risigurimi me 0.003% . Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.64% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 57.36% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-shkurt 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,286 miliardë lekë, ose 19.03% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën regjistruan një vlerë prej 815 milionë lekë. Primet e sigurimit në këtë kategori arritën në rreth 2 miliardë lekë, ose 9.76% më shumë.
Produkti MTPL e brendshme, pati një rritje prej 11.24% të vëllimit të primeve të shkruara bruto, shoqëruar gjithashtu edhe me rritje vjetore të numrit të kontratave prej 11%.
Produkti Karton Jeshil pati një ulje prej 1.59% të vëllimit të primeve të shkruara bruto, çka u shoqërua me rritje të numrit të kontratave prej 21.93%. Vëllimi i primeve të shkruara bruto për sigurimin kufitar pati një rritje 7.23%, ashtu si edhe numri i kontratave me 9.19%.
Marrë nga ATSH