Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjell në vëmendje të individëve që janë të detyruar të deklarojnë dhe paguajnë Tatimin mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2023 se afati përfundimtar është data 30 Prill 2024.
Rikujtojmë se duhet të plotësojnë DIVA 2023, individët rezidentë dhe jo rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët gjatë vitit kanë realizuar të ardhura, nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër. Detyrimin për dorëzimin e DIVA e kanë gjithashtu edhe individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër.
Gjithashtu, duhet të deklarojnë DIVA 2023, pavarësisht se totali i të ardhurave të tyre gjatë këtij viti kalendarik është nën 2.000.000 (dy milionë) lekë, edhe individët rezidentë apo jo rezidentë, të cilët kanë qenë të punësuar në më shumë se 1 (një) punëdhënës.
Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.