Gjatë katër muajve të parë të vitit, numri i mjeteve elektrike të regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor ka shënuar një rritje të dukshme. Statistikat e publikuara tregojnë se në periudhën janar-prill, numri i mjeteve elektrike është rritur me 92% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. DPSHTRR, në përkushtimin e saj për një flotë të mjeteve të cilat janë miqësore me mjedisin, i kushton një vëmendje të veçantë analizës së këtyre statistikave.
Në periudhën janar-prill 2024, numrat e regjistruar janë motivues, ku numri i mjeteve elektrike të tipit “All Electric” ka shkuar në 818, një rritje prej 370% krahasuar me të njëjtën periudhë dy vjet më parë dhe 92% krahasuar me vitin e kaluar. Në këtë periudhë, 16.9% e mjeteve elektrike të regjistruara ishin të pa përdorura më parë, një rritje prej 7% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në prill, flota e mjeteve vetëm elektrike ka arritur në 4,120 mjete.
Në të njëjtën kohë, analizohen edhe mjeteve hibride. Numri i mjeteve “Electric / Hybrid Plug-In” ka shënuar një rritje prej 261% krahasuar me periudhën janar-prill 2022, dhe 99% krahasuar me vitin e kaluar. 37% e këtyre mjeteve janë regjistruar për herë të parë.
Në fund të prillit, numri i mjeteve “Electric/Hybrid Plug-In” ka arritur në 8,574 mjete, mbi 13 herë më shumë se në vitin 2019. Megjithatë, edhe pse interesimi për mjete elektrike është në rritje, një nga sfidat kryesore për rritjen e tyre është mungesa e infrastrukturës së karikimit.
Enti Rregullator i Energjisë ka raportuar se gjatë vitit të kaluar janë instaluar 26 pika të reja të karikimit në Durrës dhe 26 kontrata në Tiranë. Megjithatë, edhe pse numri i mjeteve elektrike është në rritje, ende ka mungesa në informacionin dhe ndërgjegjësimin e kompanive dhe individëve për përfitimet e makinave elektrike krahasuar me makinat tradicionale me karburant./Businessmag