Pagesat në distancë pas pandemisë nuk tregojnë shenja ngadalësimi, me vende si Norvegjia dhe Finlanda që po shkojnë drejt eleminimit të parave “cash”. Është e vështirë të vlerësohet se sa vende në botë kanë kaluar në pagesa pa para fizike dhe në çfarë mase, pasi këto të dhëna varen nga disponueshmëria e informacionit dhe aksesi në mënyrat e reja të transaksioneve.
Norvegjia ka zero për qind të popullsisë pa llogari në bankë, që do të thotë se çdo qytetar ka akses në shërbimet bankare. Vetëm dy për qind e pagesave në vend bëhen me para në dorë. Me 32 ATM për 100,000 njerëz, Norvegjia është një nga vendet që ka më shumë gjasa të bëhet një shoqëri pa para “cash”.
Finlanda regjistron të dhëna të ngjashme me Norvegjinë, me zero për qind të popullsisë pa llogari bankare dhe 37 ATM për 100,000 njerëz. Banka e Finlandës vlerëson se kartëmonedhat nuk do të jenë në përdorim deri në fund të vitit 2029.
Ndërsa Suedia, vendi i parë që emetoi kartëmonedha, është tashmë një nga liderët në përdorimin e pagesave direkt nga telefoni, duke zënë rreth 20 për qind të transaksioneve. Aktualisht, vetëm një për qind e pagesave në vend bëhen me para në dorë. Ashtu si në Norvegji dhe Finlandë, zero për qind e popullsisë suedeze është pa llogari bankare.
Megjithëse një pjesë e madhe e popullsisë kineze mbështetet në paratë fizike, qeveria nisi një eksperiment të monedhës digjitale në vitin 2020, i cili ishte aq i suksesshëm sa që Kina pritet të heqë dorë nga “cash-i” në të ardhmen e afërt. Vizitorët e huaj tani mund të paguajnë përmes aplikacioneve Alipay dhe ËeChat, pa pasur nevojë për një llogari bankare kineze.
Zelanda e Re ka 54 ATM për 100,000 banorë dhe vetëm një për qind e popullsisë nuk ka një llogari bankare. Megjithatë, cikloni që goditi vendin në shkurt zbuloi rreziqet e e këtij procesi, pasi ATM-të dhe shërbimet e pagesave u shkatërruan. Kjo situatë e detyroi bankën qendrore të rishqyrtojë rëndësinë e parasë fizike në shoqëri.
Nga ana tjetër, vende si Maroku ende mbështeten shumë në paratë “cash”, edhe pse 84 për qind e popullsisë ka akses në internet. Rreth 71 për qind e banorëve nuk ka akses në shërbimet bankare, që ndikon në numrin e madh të pagesave fizike. Në Evropë, Rumania është lider në transaksionet me para në dorë, me 78 për qind të të gjitha pagesave, ndërsa 42 për qind e popullsisë nuk është e përfshirë në sistemin bankar./Scan