Përfaqësues të bizneseve vlerësojnë rëndësinë e pjesëmarrjes në eventet e organizuara nga Iceberg Exhibitions
Pallati i Kongreseve u kthye në një pike takimi për diskutime, ekspozime dhe rrjetëzim më 20 dhe 21 nëntor, gjatë panairit të Energjisë dhe Ndërtimit, me fokus kryesor ekonominë e gjelbër. Eventi mblodhi qindra vizitorë, të cilët patën mundësinë të njihen me zhvillimet më të fundit në këto fusha, si dhe me teknologjitë dhe praktikat më inovative të kohës.
Kompani të njohura shqiptare dhe ndërkombëtare zgjodhën sërish Iceberg Exhibitions për të ndërtuar ura komunikimi me aktorë të rëndësishëm brenda dhe jashtë vendit, si edhe me institucione kryesore në Shqipëri.
Pjesëmarrja në panair: Vlerësime nga bizneset
Të pyetur nga Probizz.al për rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë panair, përfaqësues të kompanive theksuan se eventi shërben si një platformë kyçe për shkëmbimin e kontakteve dhe njohjen me risi në industri.
Drejtues të kompanisë Meps Albania u shprehën:
“Kompania jonë merr pjesë për herë të tretë në këtë panair, pasi mbajtja e kontakteve dhe shkëmbimi i informacionit me klientët aktualë dhe potencialë është një prioritet për ne.”
Nga ana tjetër, përfaqësues të Longi – Global Power nënvizuan rëndësinë e panaireve për rritjen e dukshmërisë së markës dhe forcimin e marrëdhënieve me klientët:
“Panairet janë një mundësi e shkëlqyer për të prezantuar produktet dhe shërbimet tona, për të krijuar lidhje të reja biznesi dhe për të rritur dukshmërinë e markës. Ato na ndihmojnë të identifikojmë trendet e reja të tregut, të marrim feedback direkt nga klientët dhe të zgjerojmë rrjetin profesional.”
Në të njëjtën linjë, përfaqësues të Vega Group e konsideruan pjesëmarrjen në panaire si një domosdoshmëri për çdo biznes:
“Panairet janë të rëndësishme sepse aty krijohen kontaktet dhe marrëdhëniet më të vlefshme me klientë dhe partnerë të rinj.”
Vlerësime për organizimin dhe rezultatet
Të gjitha kompanitë e pranishme shprehën vlerësime për mënyrën profesionale të organizimit të eventit, si dhe për mundësinë për t’u prezantuar përballë një audience të gjerë dhe të targetuar. Shumica prej tyre deklaruan se do të vijojnë të jenë pjesë e panaireve të organizuara nga Iceberg Exhibitions, pasi këto aktivitete kanë sjellë rezultate konkrete në krijimin e kontakteve të reja dhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese.
Në lidhje me suksesin e panairit, Enejda Sheku, CEO e Iceberg Exhibitions, u shpreh:
“Qëllimi ynë është të krijojmë një platformë të fuqishme bashkëpunimi dhe rrjetëzimi për bizneset, duke i ofruar një hapësirë ku inovacioni dhe partneritetet të gjejnë mbështetje reale. Panairet tona janë konceptuar për të ndihmuar kompanitë të lidhen me klientë, partnerë dhe ekspertë të industrisë, duke forcuar kështu pozicionin e tyre në tregun vendas dhe ndërkombëtar.”
Diskutimet në forume: një vlerë e shtuar
Në kuadër të panairit, u zhvillua Tirana Energy Forum, ku mbi 30 ekspertë të industries ndanë njohuritë e tyre në panele të moderuara nga Lorenc Gordani. Diskutimet prekën çështje të rëndësishme si tranzicioni energjetik në Shqipëri, roli i biznesit të qëndrueshëm, zbatimi i Agjendës së Gjelbër, zhvillimi i projekteve të energjisë së rinovueshme, dhe përmirësimi i sistemeve të rrjetit.
Një hapësirë e rëndësishme për të rinjtë
Të rinjtë ishin sërish në fokus të këtij panairi. Ata patën mundësinë të shohin nga afër tregun e punës, të njohin industrinë e energjisë dhe ndërtimit, dhe të krijojnë ura komunikimi me bizneset për të siguruar mundësi punësimi.
Mbështetësit kryesorë
Panairi u mbështet nga kompani si Global Power, Vega Group dhe Vega Charging, Intesa Sanpaolo Bank, Meps Albania, Pam Building, Vitaulic, OSHE dhe FTL, ProCredit Bank, duke konfirmuar suksesin dhe ndikimin e tij në treg.
Iceberg Exhibitions vazhdon të jetë një partner kyç për bizneset që synojnë rrjetëzimin dhe inovacionin në një treg gjithnjë në zhvillim.