Dy artistet shqiptare magjepsën publikun ndërkombëtar në një nga eventet më prestigjioze të artit, duke u dalluar me profesionalizëm dhe elegancë.
SHARM EL-SHEIKH, EGJIPT – Në edicionin e dytë të aktivitetit ndërkombëtar “Art Charm 2025”, një nga eventet më prestigjioze të botës artistike, Shqipëria u përfaqësua me meritë nga dy artiste me talent, Anila Hetoja dhe Linda Lupi. Kjo ekspozitë u zhvillua në qytetin Sharm El-Sheikh, Egjipt, nga data 21 deri më 29 shtator 2025.

Eventi u hap zyrtarisht nga Gjeneral Major Dr. Khaled Mubarak, Guvernatori i Sinait të Jugut, duke ndjekur udhëzimet e Presidentit egjiptian, Abdel Fattah El-Sisi, për të forcuar statusin e Egjiptit si një destinacion global i turizmit kulturor dhe artistik. Ekspozita përmbyllëse e edicionit të dytë të “Art Charm” u zhvillua në kuadër të festimeve për Ditën Botërore të Turizmit.

Në këtë platformë ndërkombëtare, e cila mblodhi 54 artistë pamorë nga 20 vende të ndryshme të globit, Anila Hetoja dhe Linda Lupi spikatën jo vetëm për veprat e tyre, por edhe për mënyrën elegante dhe profesionale me të cilën e përfaqësuan Shqipërinë. Ndjesia e tyre e thellë artistike dhe unike tërhoqi vëmendjen e publikut dhe artistëve të tjerë ndërkombëtarë.

Përveç Shqipërisë, në “Art Charm 2025” morën pjesë artistë nga Egjipti, Arabia Saudite, Turqia, Jordania, Kosova, Shtetet e Bashkuara, Rumania, Kazakistani, Kuvajti, Korea e Jugut, Iraku, Mali i Zi, Libani, Japonia, Holanda, Anglia, Ukraina, Azerbajxhani, Maqedonia e Veriut dhe Tunizia.
Ky aktivitet hodhi themelet për shkëmbime kulturore dhe bashkëpunime të reja artistike ndërkombëtare.














