Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve në vend, në mbledhjen e datës 16 maj 2026. Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë për naften nuk duhet të kalojë 202 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë 190 lekë për litër. Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë është vendosur jo më shumë se 188 lekë për litër, ndërsa me shumicë 176 lekë për litër. Çmimet e reja hynë në fuqi sot në orën 13:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e radhës së Bordit, ku do të rishikohen sipas ndryshimeve në treg.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë operatorëve të tregut të naftës dhe nënprodukteve të saj që të zbatojnë vendimin në mënyrë strikte. Në rast të shkeljeve të konstatuara, paralajmërohet pezullimi i aktivitetit. Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklarojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Sipas sqarimit shoqërues, çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, ndaj për këtë arsye do të vijojë zbatimi i nivelit të plotë të akcizës, në masën 100%.











