Mjekët dhe infermierët që punojnë në administratën publike do të kenë mundësinë të përfitojnë një kredi deri në 70 milionë lekë, me 0% interes, për blerjen e një banese.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka hapur thirrjen për aplikime, të cilat nisin më 27 gusht dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 25 shtator 2026. Aplikimi do të bëhet online përmes platformës e-Albania.
Për të përfituar nga kjo mundësi, aplikantët duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligjin “Për strehimin social” dhe të jenë të punësuar në administratën publike.
Një nga kushtet kryesore është që aplikanti të mos ketë një banesë në pronësi apo në proces legalizimi. Në rast se ka një banesë, ajo duhet të jetë nën standardet e përcaktuara për strehimin.
Po ashtu, përfituesit nuk duhet të kenë pasuri të paluajtshme apo të luajtshme me vlerë më të madhe se gjysma e vlerës së banesës që synojnë të blejnë dhe nuk duhet të kenë përfituar më parë nga programe të tjera të strehimit social.
Skema synon t’u japë një mbështetje konkrete profesionistëve të shëndetësisë, duke ua bërë më të lehtë sigurimin e një banese përmes një financimi pa interes. Për shumë mjekë dhe infermierë, kjo mund të jetë një mundësi e rëndësishme për të investuar në shtëpinë e tyre, pa barrën e interesave bankare.










