Shoferët në Gjermani do të mund ta mbajnë patentën e shoferit në telefon dhe ta paraqesin atë gjatë kontrolleve rrugore, pa pasur nevojë të mbajnë me vete dokumentin fizik. Ministria Federale e Transportit ka konfirmuar se funksioni i ri pritet të jetë i disponueshëm deri në fund të nëntorit.
Patenta digjitale do të ruhet në aplikacionin shtetëror i-Kfz dhe do të kërkojë një letërnjoftim elektronik me identifikimin online të aktivizuar. Aplikacioni mbështet iPhone me iOS 17 e lart dhe pajisjet Android me versionin 12 e lart.
Megjithatë, patenta digjitale nuk e zëvendëson plotësisht atë fizike. Ajo do të jetë e vlefshme vetëm brenda Gjermanisë, ndërsa për udhëtimet jashtë vendit shoferët do të duhet të mbajnë me vete patentën tradicionale.












