Dasmat, ashtu si shumë aspekte të tjera të jetës, po pësojnë një ndryshim të madh. Nëse dikur dita e dasmës konsiderohej një nga momentet më të rëndësishme të jetës, e shoqëruar me festa madhështore, qindra të ftuar dhe fustane nusërie si të dala nga përrallat, sot gjithnjë e më shumë çifte po zgjedhin një mënyrë krejt tjetër për të kurorëzuar dashurinë e tyre.Në vend të ceremonive të mëdha dhe organizimeve që kërkojnë muaj të tërë përgatitjesh, tendenca e re po anon drejt dasmave të vogla, intime dhe më personale. Shumë çifte nuk e shohin më të nevojshme të organizojnë festa madhështore për të përjetuar një nga ditët më të bukura të jetës së tyre. Për ta, rëndësi ka momenti, personi me të cilin po e ndajnë atë dhe kujtimet që do të mbeten, jo numri i të ftuarve apo madhështia e ceremonisë.Disa zgjedhin të shkëmbejnë unazat në një udhëtim romantik, në një ishull tropikal apo në një vend të veçantë, larg zhurmës dhe syve të të tjerëve. Në disa raste, ceremonia zhvillohet vetëm me praninë e çiftit, pa familjarë apo miq, duke e kthyer këtë moment në një përjetim krejtësisht personal.
Ndryshimi nuk ndalet vetëm te organizimi. Edhe moda e nusërisë po largohet nga fustanet tradicionale, me funde voluminoze, tyl dhe zbukurime të shumta. Në vend të tyre, po fitojnë terren modelet minimaliste, të cilat dallohen për elegancën dhe thjeshtësinë. Fustanet prej mëndafshi, me prerje të pastra, rripa të hollë dhe detaje të hapura në shpinë, janë ndër zgjedhjet që po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen.Edhe ngjyra e bardhë nuk shihet më si një rregull i panegociueshëm. Nuset po guxojnë të eksperimentojnë me modele dhe nuanca të ndryshme, duke zgjedhur atë që i përfaqëson më mirë. Ideja është që fustani të mos e mbulojë nusen me shumë detaje, por të nxjerrë në pah bukurinë dhe stilin e saj natyral.Një tjetër tendencë që po merr vëmendje është rikthimi te natyra. Dasmat po zhvendosen gjithnjë e më shpesh larg sallave tradicionale, në kopshte, pyje, ambiente rurale apo pranë detit. Frymëzimi bohemian dhe atmosfera e relaksuar po bëhen pjesë e organizimeve moderne, ku dekori është më i thjeshtë dhe çdo detaj synon të krijojë një ambient të ngrohtë e mikpritës.
Disa çifte zgjedhin të organizojnë një fundjavë të plotë me të ftuarit, duke i akomoduar pranë vendit ku zhvillohet ceremonia. Në vend të një feste tradicionale me muzikë të lartë dhe shumë formalitete, preferojnë muzikë live, një violinist, darka në natyrë dhe momente të kaluara në shoqërinë e njerëzve më të afërt.Për të tjerë, një plazh i qetë dhe disa ditë pushimi janë gjithçka që nevojitet për ta bërë këtë moment të paharrueshëm.Në thelb, dasmat moderne po largohen nga ideja se lumturia duhet të matet me madhësinë e festës apo me shpenzimet e bëra. Çiftet duket se po kërkojnë më shumë liri për të vendosur vetë se si duan ta jetojnë këtë ditë, pa u ndikuar nga pritshmëritë dhe rregullat e dikurshme shoqërore.Sepse, në fund të fundit, një dasmë nuk ka pse të jetë madhështore për të qenë e bukur. Ndonjëherë, një ceremoni e vogël, disa njerëz të dashur dhe një moment i sinqertë mund të vlejnë shumë më tepër se një festë e organizuar për të kënaqur të gjithë të tjerët.











