Rritja e shpeshtë e çmimeve të apartamenteve ka rritur vitet e kthimit të investimit nëpërmjet qiradhënies në Tiranë. Dritan Leka, broker në kompaninë “Century 21 CPM”, pohon se koha maksimale e kthimit të investimit nëpërmjet qirasë për apartamentet në kryeqytet shkon deri në 25 vjet. Më parë, agjentët imobiliarë llogarisin si afat maksimal periudhën 20-vjeçare. Në Europë, koha optimale e kthimit të investimit të blerjes së shtëpisë nëpërmjet qiradhënies është 12 deri në 15 vjet.
“Në Tiranë, apartamentet e kthejnë veten në 18-25 vite. Sigurisht që njëkohësisht me rritjen e çmimit të shitjes ka ardhur edhe rritja e çmimit të qirasë.
Për të mos përmendur këtu edhe qiradhënien ditore, e cila është një nga mënyrat më të shpejta të kthimit të investimit nga apartamentet. Personalisht mendoj se vazhdon të jetë interesant dhe e leverdishme të investosh në apartamente për qëllim investimi.
Dhe kjo jo vetëm për qiradhënie, por edhe për rritje të vlerës.
Në Shqipëri, treguesi i kthimit nga qiraja vijon të mbetet më i lartë për zonat jashtë qendrës sesa ato në qendër.
Sipas Numbeo-s, ky tregues për Tiranën në vitin 2024 është 5,45% për apartamentet jashtë qendrës nga 5,08% që ishte më 2022 dhe 4,47% për ato të qendrës, nga 4,12 që ishte (sa më i lartë të jetë treguesi, aq më të ulëta janë vitet e kthimit të investimit). Kthimi nga qiraja llogaritet si raport i qirasë vjetore me çmimin e blerjes së banesës e shprehur në përqindje.
Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, apartamentet në zonat e qendrës kanë një diferencë mjaft të lartë në çmim në raport me apartamentet në periferi.
Ndërsa për sa i përket qirasë, diferencat nuk janë aq të larta. Sipas tyre, në periferi, gjenden prona të mobiluara apo luksoze me çmim qiraje 800 deri 1,000 euro në muaj. Agjentë të tjerë të tregut të pasurive të paluajtshme rekomandojnë rishitjen e apartamenteve, pasi për shkak të shtrenjtimit të çmimeve përfitueshmëria është më e lartë.
Kush janë blerësit e pronave në Tiranë
Blerësit kryesorë të pronave në Tiranë janë vendasit, sipas ndërtuesve, kryesisht të profesioneve të lira, për qëllim investimi me rishitje. Ndërsa të huajt, veçanërisht shtetas italianë dhe francezë, po blejnë më tepër prona afër qendrës, të mobiluara për dhënie me qira ditore në platformat e huaja.
Për ndërtuesit, blerësit kryesorë të pronave në Tiranë vijojnë të mbeten të punësuarit e profesioneve të lira, duke përfshirë mjekë, noterë, ekonomistë, avokatë etj. Shtim kërkese këtë vit ka pasur edhe nga qytetarët e rretheve, si Fier, Lezhë apo Kukës, për qëllime investimi, apo rishitjen e tyre.
Ervin Demirxhiu, broker në agjencinë imobiliare “Remax Perla”, tha se tendenca e këtij viti është rritja e kërkesës nga të huajt për banesat e rishitura. “Shtetas italianë dhe francezë po blejnë më tepër prona afër qendrës, të mobiluara, për dhënie me qira ditore në platformat e huaja. Të huajt po e shohin me shumë leverdishmëri investimin në këtë treg”.
Por a ka një logjikë financiare mes çmimeve të shitjes, të ardhurave të familjeve në Tiranë dhe normave të interesit të kredive? Dritan Leka, nga agjencia e pasurive të paluajtshme “Century 21 CPM”, gjykon se që pas pandemisë dhe luftës Rusi-Ukrainë, mbarë bota, përfshirë edhe Shqipërinë, u prekën nga inflacioni i çmimeve të lëndëve të para.
Sipas tij, përveç inflacionit të çmimeve për materialet e ndërtimit, rritja e cilësisë së punimeve dhe zhvlerësimi i euros kanë ndikuar te shtrenjtimi i çmimit minimal të shitjes së apartamenteve, por në anën tjetër, rritja mesatare e pagave ka fuqizuar kërkesën për blerje.
Marrë nga Monitor