Industria europiane e energjisë elektrike paralajmëroi se nevojiten investime të paprecedenta për të përmirësuar rrjetet e vjetruara të energjisë elektrike, në të kundërt Bashkimi Europian do të dështojë në përmbueshjen e objektivave për energji të pastër.
Planet e Bashkimit Europian për të frenuar ndryshimet klimatike parashikojnë miliona automjete të tjera elektrike në rrugët europiane deri në vitin 2030, si dhe një zgjerim masiv të energjisë së rinovueshme dhe pompat elektrike të nxehtësisë që fillojnë të zëvendësojnë kaldaja me lëndë djegëse fosile nëpër shtëpitë e qytetarëve. Shoqata e industrisë së energjisë elektrike ‘Eurelectric’ bëri të ditur se për të mbështetur këto synime, investimet mesatare vjetore në rrjetet e energjisë elektrike të Europës nga tani deri në vitin 2050 duhet të jenë të paktën 84% më të larta se sa ishin në vitin 2021.Sipas sekretarit të përgjithshëm të shoqatës, Kristian Ruby, synohet transformimi i të gjithë sistemit energjetik me shpejtësi rekord dhe zëvendësimi i lëndëve djegëse fosile – nafta dhe gazi – me energji elektrike. Në këtë mënyrë shtohen ngarkesa të kapaciteteve të reja gjeneruese në rrjet, shtohen automjete elektrike dhe pompa nxehtësie. Për këtë arsye aktualisht nuk mund të thuhet se ajo që është bërë 10 vjet më parë do të jetë mirë dhe për 10 vitet e ardhshme.
Komisioni Europian ka thënë se investimet në rrjetin e energjisë elektrike prej 584 miliardë euro në vit nevojiten të qëndrojnë në këtë nivel deri në vitin 2030 për të përmbushur objektivat e gjelbër.
Pjesa më e madhe e kësaj shume pritet të vijë nga burime private ose të paguhet përmes tarifave të rrjetit. ‘Eurelectric’ tha se financimi publik duhet të synojë përmirësimin e shpejtë të rrjeteve, mbi infrastrukturën tjetër afatgjatë si projektet e hidrogjenit që do të nisin në vitin 2030. Komisioneri i BE-së për Energjinë, Kadri Simson, tha për Reuters se projektet e rrjetit do të përfshihen në një listë të ardhshme të infrastrukturës ndërkufitare që do të ofrohen leje më të shpejta dhe akses në fondet e BE.
40% e rrjeteve të shpërndarjes së energjisë në Europë janë mbi 40 vjeçare. Shumica janë projektuar rreth termocentraleve të mëdha të centralizuara dhe do të kenë nevojë për përmirësim për të shpërndarë energjinë nga flota e paneleve diellore lokale dhe fermave me erë që pritet të aktivizohen këtë dekadë.
Vendet e BE po negociojnë reformat e tregut të energjisë që mund ta bëjnë më të lehtë dhe më të shpejtë për operatorët e rrjetit të investojnë në përmirësimin e rrjeteve. Megjithatë, qeveritë kanë luftuar për të miratuar ligjin që nga qershori për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi ndihmën shtetërore për termocentralet.
Marrë nga Scan Tv