Në episodin e 6-të të podcastit “Flasim”, Kryeministri Edi Rama bisedoi me Arjeta Pucën, sipërmarrësen mbresëlënëse që prodhon makina në fabrikën e saj në Shqipëri dhe është përzgjedhur nga OKB për të prodhuar 500 autoambulanca që do të dhurohen për Ukrainën.
“Do të jemi me një vajzë të rrallë, një yll nga Bulqiza që pasi ka bredhur botën qysh bebe, ka zgjedhur të jetojë e të punojë këtu në Shqipëri, ku fatkeqësisht nuk e kisha njohur më parë, por një ditë jam i bindur do ta njohin të gjithë, si krijuesen dhe prodhuesen e autoveturës së parë të markës shqiptare”, shkroi Kryeministri, teksa postoi edhe bisedën me të në rrjetet sociale.
Rama theksoi mbështetjen e tij për kompaninë e Pucës.
“Do të ishte nder, nëse do të më shënoje në kompaninë tënde si hamall pa pagesë, për të mbartur peshën e mbështetjes dhe për të shtyrë përpara që Arjeta një ditë të jetë prodhuesja e autoveturës së parë të markës shqiptare. Nuk e di pse e imagjinova të kuqe “Ferrari from Ballkan”, tha Rama.
Vetë Puca u shpreh optimiste se një ditë edhe mund ta prodhonte.
“Edhe mund ta prodhojmë komplet, me mjetet tona nga fillimi deri në fund”, u shpreh ajo.
Së bashku me familjen Arjeta ka themeluar në vitin 2016, kompaninë TIMAK, duke prodhuar deri tani mbi 150 autoambulanca, për spitalet shqiptare si edhe për vendet fqinje si Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Turqia etj.