Ismeti nga Kukësi prej 15 vitesh i është dedikuar fermës së tij.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale videomesazhin e Ismetit, si shembullin që po bëhet trend edhe për shumë profesionistë të tjerë duke iu dedikuar bujqësisë.
“Me profesion avokat, ai zgjodhi t’i dedikohej pasionit për bujqësinë dhe sot ka një plantacion me mbi 800 rrënjë arra autoktone dhe një larmi pemësh të tjera si shega, kumbulla, gështenja, dardha verore dhe qershia”, shkroi Denaj.
Denaj tha se, edhe ky vit ka qenë i begatë për Ismetin, duke përfituar nga mundësitë që ofron bujqësia e qëndrueshme dhe prodhimet shqiptare për zhvillimin ekonomik të familjeve rurale.
Prodhimi i qershive në vendin tonë ka një shtrirje të gjerë në disa zona të vendit, ku bën pjesë dhe rajoni verior i Kukësit. Sipas statistikave zyrtare prodhimi i bollshëm i këtij fruti arrin të plotësojë kërkesat në tregun vendas por edhe eksportohet kryesisht në Kosovë./ATSH