Qeveria shqiptare do të hartojë një strategji kombëtare në fushën e parandalimit dhe goditjes së pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, brenda 6 mujorit të parë të vitit 2024.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku deklaroi sot gjatë mbledhjes vjetore të Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave se kjo strategji do të jetë një udhërrëfyes për një sërë procesesh vlerësuese, si dhe do të rrisë efikasitetin e këtij Komiteti.
Balluku ndër të tjera theksoi se viti 2023 ka qenë një vit padyshim i suksesshëm në vendin tonë në drejtim të parandalimit dhe goditjes së pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, jo vetëm për sa i takon vlerësimit shumë pozitiv për daljen e Shqipërisë nga lista gri e FATF, por edhe për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të legjislacionit të Bashkimit Europian.
“Ky moment pozitiv për Shqipërinë ka ardhur si rezultat i një pune shumë të madhe të të gjitha institucioneve, ku një rol mjaft të rëndësishëm ka pasur edhe konsolidimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi, edhe institucionet e reja të krijuara si SPAK, institucione të cilat kanë mbështetur punën e institucioneve tradicionale ligj zbatuese duke dhënë efektin e daljes së Shqipërisë nga lista gri e FATF”, u shpreh ajo.
Takimi i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave është një angazhim i përbashkët për të vijuar luftën kundër krimit financiar në përgjithësi dhe në veçanti pastrimit të parave përmes hetimeve, dënimeve, sekuestrimeve dhe konfiskimeve.
Sipas Ballukut, angazhimi institucional dhe financiar i konsiderueshëm i qeverisë shqiptare dëshmon përkushtimin dhe synimin për konsolidimin e mëtejshëm të një shteti të sundimit të ligjit të barabartë për të gjithë.
“Ne i kemi kushtuar shumë vëmendje rritjes së kapaciteteve institucionale të çdo institucioni si dhe investimeve në sistemet e teknologjisë së informacionit me synim rritjen e efektivitetit të proceseve të punës në përgjigje të sfidave të reja të teknologjisë mbarë botërore. Inteligjenca artificiale dhe ndërveprimi midis institucioneve në luftën kundër krimit ekonomik është një synim dhe objektiv madhor i qeverisë shqiptare”, shtoi ajo.
Gjatë takimit u miratua vlerësimi kombëtar i riskut dhe planit të veprimit të tij. Këto dokumente, sipas zv/kryeministres Balluku, kanë një rëndësi të madhe, jo vetëm për përmbushjen e rekomandimeve ndërkombëtare, por dhe për parashikim më të saktë të risqeve me të cilat do të përballemi, për të fokusuar aty më shumë burime që kemi në dispozicion.
“Ky vlerësim është realizuar pas një pune të gjatë të të gjithë institucioneve, duke përdorur metodologjinë e Këshillit të Europës, nën koordinimin e Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë. Ndjekja e objektivave sipas planit të veprimit do të jetë me një rëndësi parësore për të gjithë ne”, u shpreh Balluku.
Marrë nga ATSH