Zëvendëskryeministrja, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi një takim me bizneset për kapitullin e 20-të të negociatave të anëtarësimit.
Gjatë fjalës së saj Balluku u shpreh se vendi duhet të tërheqë më shumë fonde nga Bashkimi Europian.
“Ka ardhur momenti që ne të diskutojmë me njëri-tjetrin dhe të punojmë për ngritjen e infrastrukturës dhe të instrumenteve të duhur, të cilët do t’i shërbejnë biznesit për të aksesuar fondet e programeve ekonomike të Bashkimit Europian, fonde të cilat janë aty, por që fatkeqësisht nuk e kemi pasur deri më sot një strukturë, nuk e kemi pasur një instrument për të mbështetur dhe për të udhëhequr sipërmarrësit tanë në këtë proces të ri për Shqipërinë, por që ka kohë që ndodhet aty dhe që vendet e tjera edhe ato të rajonit e kanë aksesuar”.
Sipas saj duhen instrumentet për të pasur një aksesim sa më të plotë, sa më të shpejtë dhe për të qenë në të njëjtin nivel të konkurrencës me të gjithë sektorët e biznesit privat në rajonin tonë.