Sektori bankar vlerëson përkeqësimet e mundshme të ekonomisë reale si rrezikun kryesor për sistemin financiar në vend. Bazuar në rezultatet e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë mbi perceptimet e sektorit bankar rreth rreziqeve sistemike, rezulton se rreziku i përkeqësimit të ekonomisë së vendit ka vijuar të evidentohet si rreziku kryesor gjatë gjysmës së parë të vitit 2021.
Megjithatë, perceptimi mbi nivelin e këtij rreziku është zbutur gjatë periudhës, ndikuar nga ecuria pozitive e aktivitetit ekonomik, pas lehtësimit së masave kufizuese të lidhura me pandeminë.
Në të njëjtën kohë, është zbutur disi edhe perceptimi i përgjithshëm mbi rrezikun e kredisë nga të gjitha subjektet, i cili shihet i lidhur drejtpërdrejt me rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë. Rinisja e aktivitetit në sektorët ekonomikë të prekur nga pandemia, si sektori i transportit ndërkombëtar, tregtisë dhe turizmit, ka zbutur shqetësimin e bankave mbi situatën e ardhme financiare të bizneseve dhe familjeve, si dhe perceptimin e rrezikut të goditjeve nga jashtë.
Por, nga ana tjetër, zgjerimi i borxhit publik në raport me PBB-në, për shkak të rritjes së kostove të administrimit të situatës së pandemisë, ka rritur shqetësimin e sektorit bankar mbi qëndrueshmërinë e tij dhe ka evidentuar nevojën e masave për rikthimin e prirjes rënëse të tij. Ashtu si edhe gjatë vitit të kaluar, bankat vijojnë të evidentojnë shfaqjen e disa rreziqeve të reja të lidhura me periudhën e pandemisë si rreziku operacional dhe rreziku kibernetik, si rezultat i rritjes së përdorimit të teknologjisë në përmbushjen e aktivitetit të tyre.
Besimi i bankave në qëndrueshmërinë e sistemit financiar ka rezultuar në rritje në gjashtëmujorin e parë të vitit, krahasuar me periudhën e kaluar dhe me një vit më parë, duke u rikthyer në nivelet e para të pandemisë. Ky besim mbetet i kënaqshëm dhe i pandryshueshëm kur diskutohet për të ardhmen afatshkurtër, por disi në rënie kur diskutohet për një të ardhme më afatgjatë.
Sektori bankar gjykon se, pavarësisht sfidave që kanë karakterizuar mjedisin e brendshëm dhe të jashtëm gjatë dy viteve të fundit, sistemi financiar në vend ka mbetur i qëndrueshëm dhe i mirëkapitalizuar, në gjendje për të përthithur humbjet e mundshme.
Por, sipas bankierëve, zhvillimet e pandemisë të lidhura me përhapjen e variantit Delta të koronavirusit, kanë treguar se pasiguria mbi gjendjen e shëndetit publik dhe pasojat mbi ekonominë në tërësi, mbeten të pranishme. Përveç pandemisë, në javët e fundit rimëkëmbja ekonomike po përballet me një sfidë të re, të lidhur me rritjen e çmimit të produkteve energjetike dhe ushqimeve.
Burimi: Revista Monitor